Wayne Rooney kishte refuzuar një ofertë të majme nga klubi kinez Beijing Guoan. Gjatë afatit kalimtar veror, anglezi ka mundur që të transferohej në kampionatin kinez, por lojtari nuk ka pranuar pasi dëshira e tij ishte të qëndronte në Old Trafford.
Presidenti i klubit kinez ka rrëfyer se i ka ofruar sulmuesit të Manchester Unitedit një transferim në vendin aziatik, por ai e ka refuzuar atë, transmeton KP.
“Ne ishim shumë të interesuar për Rooneyn dhe i bëmë një ofertë në afatin kalimtar të verës, por ai na ktheu përgjigje negative”, ka deklaruar Luo për Sports Night Talks.
“Rooney na ka thënë se dëshiron të luajë në Ligën Premier për aq kohë sa do ta përballojë intensitetin e futbollit atje. Ne jemi takuar edhe me agjentin e lojtarit, Paul Stratford, por asgjë nuk e ka bindur lojtarin që të largohet nga vendlindja”, ka shtuar ai.
Rooney ka kontratë me Djajtë e Kuq deri në vitin 2019.