Dikur ishin mike të mira, por sot këngëtaret Ronela Hajati dhe Samanta Karavella as nuk përshëndeten mes vete.
Arsyen për këtë askush më mirë se ato vet nuk e dinë, megjithatë ka qenë Ronela, ajo e cila së fundmi ka rrëfyer diçka rreth kësaj miqësie të prishur.
Ajo në një intervistë për emisionin “Thumb”, ka treguar se miqësia e tyre kishte nevojë për një rifreskim.
“Shoqëria jonë ka pasur nevojë të futet në lavatriçe”, ka thënë ndër të tjerash me humor Ronela.
Tutje, këngëtarja Hajati ka rrëfyer se u ka rastisur të takohen, e ndërsa ka ndodhur kjo, ato as nuk janë përshëndetur.
“Ne nuk kemi më komunikim. I uroj më të mirat, të eci sa më shumë, ajo është vajzë shumë e talentuar. Nuk jemi zënë thjesht jemi zhdukur, Me Samantën jemi ndeshur por nuk jemi përshëndetur. Është një muhabet grash që e zgjidhin gratë jo televizionet”, ka përfunduar Ronela.
E njëjta, javë më parë ka sjellë klipin “Maje men”, i cili është pritur mirë nga fansat, ndërsa ka qenë i përfolur edhe klipi, kjo për shkak të skenave ‘të nxehta’ që përmbante. /Telegrafi/