Cristiano Ronaldo është nisur drejt Portugalisë për të qëndruar me nënën e tij në spital, pasi ajo ka pësuar goditje në tru.
Dolores Aveiro është dërguar në spitalin Dr Nelio Mendonca në Madeira në orën 5:00 të mëngjesit të të martës.
Mediat lokale kanë raportuar se ajo është e vetëdijshme dhe stabile, ndërsa po i vazhdon ekzaminimet mjekësore për ta përcaktuar gjendjen e saj shëndetësore.
Në ndërkohë, superylli i Juventusit do të arrijë me aeroplan privat në Madeira sot (e martë) dhe do të kthehet në Itali nesër (e mërkurë) për të luajtur në ndeshjen kthyese gjysmëfinale të Kupës së Italisë kundër Milanit.
Dolores ka pësuar goditje trunore si pasojë e iskemisë (mosfurnizimit të mjaftueshëm me gjak nga ndonjë arterie trunore), të shkaktuar nga ndonjë tromb (bllokim i qarkullimit të gjakut përmes mpiksjes brenda arteries) – kanë raportuar mediat portugeze.
Goditja në tru (insulti cerebral) është një urgjencë mjekësore. Goditja në tru ndodh kur ndalon qarkullimi i gjakut në tru. Brenda pak minutash, qelizat trunore nisin të vdesin. Janë dy lloje goditjesh në tru.
Më e shpeshta quhet iskemia trunore kur ndodh bllokimi i një ene të gjakut për shkak të mbylljes nga ndonjë tromb dhe kështu pamundësohet qarkullimi i gjakut në tru.
Ndërsa lloji tjetër quhet goditja hemorragjike që shkaktohet kur një enë e gjakut dëmtohet dhe gjaku rrjedh brenda trurit.
‘Mini-goditjet në tru’ ose sulmet kalimtare iskemike (TIA) ndodhin kur furnizimi me gjak në tru është i ndërprerë përkohësisht.
Nëna e Ronaldos i është nënshtruar trombektomisë mekanike (heqjes së trombit nga arteria përmes kateterit) dhe tash është duke u rikuperuar.
Ajo po qëndron në kujdes intensiv, ndërsa familjarët kanë kërkuar që të respektohet privatësia e 65-vjeçares, e cila është nënë e katër fëmijëve. /Telegrafi/