Site icon Telegrafi

Ronaldo shkëlqen me gol e dy asistime, Juventusi fillon shkëputjen në Serie A

Cristiano Ronaldo . (Photo by Valerio Pennicino/Getty Images)

Juventusi ka marrë një fitore të lehtë në përballje me Leccen që e mposhti në shtëpi 4-0.

Juventusi e nisi më mirë ndeshjen duke krijuar disa raste të mira shënimi.

Cristiano Ronaldo ka pasur një mundësi të artë për ta kaluar Juventusin në minutën e 29-të, por goditja e tij me gërshërë nuk ishte e saktë.

Tre minuta më vonë mysafirët mbetën me një lojtar më pak në fushë pasi u ndëshkua me karton të kuq qendërmbrojtësi Fabio Lucioni.

Ronaldo ka mundur ta kaloj Juventusin në epërsi, por goditja e tij nga afërsia me kokë shkoi mbi portë.

Kësisoj pjesa e parë përfundoi me rezultatin e pastër 0-0.

Paulo Dybala. (Photo by Valerio Pennicino/Getty Images)

Me të filluar pjesa e dytë, kampioni në fuqi gjeti golin e epërsisë, ku Cristiano Ronaldo asistoi te Paulo Dybala i cili shënoi një gol edhe më të bukur për 1-0.

E pasi kaluan një orë lojë, Cristiano Ronaldo fitoi një penallti të cilën vet e konkretizoi në gol për ta ngritur epërsinë në 2-0.

Cristiano Ronaldo shfaqi formë të lartë, teksa në minutën e 84-të dha një asistim fantastik me dhembër për Higuain që shënoi me lehtësi për 3-0.

Cristiano Ronaldo. (Photo by Valerio Pennicino/Getty Images)

Vetëm dy minuta më vonë qendërmbrojtësi holandez, Matthijs De Ligt shënoi golin e katërt dhe të fundit në ndeshje.

Me këtë fitore Juventusi vazhdon të mbetet në pozitën e parë në tabelë me 69 pikë të tubuara, shtatë më shumë se Lazio që ka një ndeshje më pak.

Në anën tjetër Lecce ndodhet në vendin e 18-të në tabelë me vetëm 25 pikë pas 28 xhirove.

Në xhiron e radhës Zonja e Vjetër luan në udhëtim te Genoa, ndërsa Lecce pret Sampdorian. /Telegrafi/

Exit mobile version