Nuk ka dyshim se Cristiano Ronaldo është mbreti i Ligës së Kampionëve. Ai i ka shënuar 132 gola në garën më të madhe evropiane për klube, me Manchester Unitedin, Real Madridin dhe Juventusin.
Është pikërisht faza e eliminimit direkt kur ai vjen në pah, ndërsa në këtë periudhë (pas grupeve) ka shënuar më shumë se 60 gola.
35-vjeçari njëherësh e ka fituar pesë herë trofeun e Ligës së Kampionëve në karrierën e tij të jashtëzakonshme, ndërsa ka shënuar gola në tri finale.
Dhe padyshim se duhej të prodhonte një tjetër mrekulli në mënyrë që Juventusi të përpiqet ta eliminonte Lyonin nga gara elitare e Evropës.
Superylli portugez shënoi dy herë në Allianz Stadium, por kjo nuk mjaftoi, pasi që falë golit të Memphis Depay në terren mysafir, ekipi francez u kualifikua në çerekfinale.
Ronaldo e barazoi rezultatin nga penalltia në fund të pjesës së parë, ndërsa në pjesën e dytë shënoi një gol të mrekullueshëm nga largësia.
CRISTIANO RONALDO WHAT A GOAL… https://t.co/yCMaQCcjcK
— TC (@totalcristiano) August 7, 2020
Golat e tij nuk mjaftuan që Juve të kualifikohej tutje, por CR7 e shkroi sërish emrin në librat e historisë.
Me realizmin e dytë, goli i bukur ishte i 37-ti për të në të gjitha garat këtë edicion dhe në këtë mënyrë barazoi rekordin për më së shumti gola të shënuar nga një lojtar i Juventusit brenda një sezoni. Duke mos harruar se Juventusi është themeluar para 122 vitesh…
Cristiano është 35 vjeçar, por statistikat e jashtëzakonshme nuk kanë të ndalur. Portugezi e barazoi rekordin prej 37 golash të Felice Borel nga sezoni (1933/1934), ndërsa e ka thyer rekordin e Ferenc Hirzer, i cili ka shënuar 35 gola në edicionin 1925/1926. /Telegrafi/