Portugalia është eliminuar nga Kampionati Evropian pas humbjes në 1/8 e finales nga Belgjika.
Kampioni në fuqi i Evropës pësoi humbje 1-0, edhe pse bën një ndeshje të madhe duke pasur disa raste të mira shënimi.
I nervozuar pas humbjes ishte kapiteni i portugezëve Cristiano Ronaldo, i cili hodhi edhe shiritin e kapitenit në tokë.
Por sot, një ditë pas eliminimit, Ronaldo është qetësuar sa ka shkruar gjërë e gjatë për eliminimin.
Ai ka falënderuar edhe tifozët portugezë për përkrahjen, derisa ka thënë se janë krenarë pasi kanë dhënë gjithçka nga vetja.
“Ne nuk morëm rezultatin që donim dhe u larguam nga turneu më herët sesa dëshironim. Por ne jemi krenarë për rrugën tonë, kemi dhënë gjithçka për të konfirmuar veten si kampionë të Evropës dhe kemi treguar se ende mund t’i dhurojmë shumë gëzime Portugalisë”.
“Tifozët tanë kanë qenë të palodhshëm, duke na kanë mbështetur nga fillimi në fund. Ne vrapuam dhe luftuam për të qenë në lartësinë e besimit që na dhanë. Nuk ishte e mundur të arrinim atje ku donim të gjithë, por këtu janë falënderimet tona të sinqerta dhe të thella”.
Krejt në fund gjeniu portugez ka uruar Belgjikën dhe i ka uruar fat atyre dhe gjithë Kombëtareve të mbetura në garë.
“Urime Belgjikës dhe fat të mbarë për të gjitha ekipet e mbetura në garë. Sa për ne, do të kthehemi më të fortë. Forca Portugali!”, ka shkruar Ronaldo.
Ronaldo e mbylli këtë kampionat evropian me pesë gola të shënuar në tri ndeshjet e fazës së grupeve.
/Telegrafi/