Cristiano Ronaldo ka shkëlqyer në ndeshjen e tij të parë në këtë Kampionat Botëror me Portugalinë.
Njëri nga futbollistët më të mirë të të gjitha kohërave realizoi het-trik përballë Kombëtares së Spanjës.
Golin e parë Ronaldo e shënoi pas katër minutave lojë nëpërmjet penalltisë, ndërsa të dytin e shënoi në minutën e 44-të pas një gjuajtje të fuqishme nga distanca.
Për ta shpëtuar Portugalinë nga humbja, Ronaldo u përkujdes me një gol spektakolar dy minuta para fundit nga gjuajtja e lirë.
Por përveç het-trikut të shënuar, ajo që ka bërë jehonë të madhe në mediat botërore është edhe festimi i portugezit, ku shihet si një kundërpërgjigje për Lionel Messin.
Pas shënimi të golit të parë, Ronaldo festoi duke fërkuar mjekrën që simbolizon ‘Cjapin/Dhinë’ apo ndryshe në gjuhen angleze njihet si ‘GOAT’.
‘GOAT apo Greates Of All Time’ do të thotë në gjuhen shqipe ‘Më i miri i të gjitha kohërave’.
Ky festim i Ronaldos vije pasi Messi ditë më parë bëri një sesion të fotografive me ‘Cjap/Dhi’, për të simbolizuar se është më i miri i të gjitha kohërave.
Cila nga Kombëtaret, Portugalia ose Argjentina do të triumfonte në Kampionatin Botëror Rusia 2018, do të bënte që tifozët e futbollin ta shpallnin njërin nga Messi apo Ronaldo si ‘GOAT’.
‘Lufta’ mes dy futbollistëve të jashtëzakonshëm vazhdon deri në fund të karrierës së tyre se cili do të përfundojë si më i miri i të gjitha kohërave. /Telegrafi/