Ronaldo Nazario ka zbuluar favoritët e tij për titullin e Serie A dhe për trofeun e Ligës së Kampionëve, gjersa ka folur edhe për Topin e Artë.
Legjenda e futbollit ka deklaruar se Interi po luan mirë dhe mund ta mbrojë titullin në ligën italiane.
“Për Scudetton është një luftë e mirë. Sipas mendimit tim, Interi po luan më mirë për momentin dhe shpresoj që ata ta fitojnë përsëri atë, kështu do të qëndisin edhe yllin e dytë mbi stemën e tyre”, ka deklaruar Ronaldo.
“Për Ligën e Kampionëve, Real Madridi do të ngrejë lartë në qiell trofeun më të rëndësishëm të Evropës”.
“Real Madrid ka një lidhje të madhe me këtë kompeticion, ata edhe kur nuk janë në formën e tyre më të mirë, arrijnë që në Champions të zhvillojnë një turne të mrekullueshëm. Ata kanë në bankinë një nga trajnerët më të mirë në botë, Ancelottin. Në repartin ofensiv kanë Benzema, ai është një lojtar për Topin e Artë”.
“E kam thënë prej vitesh dhe jam kritikuar gjithmonë, ai është për të fituar trofeun më të rëndësishëm personal dhe e meriton, nuk ka dyshime për këtë gjë”, është shprehur fenomeni për “Sky Sport”.
Real Madridi takohet sonte me Chelsean në kuadër të ndeshjes së dytë në çerekfinale, derisa të parën në Londër e kishin fituar 3-1. /Telegrafi/