Telegrafi

Ronaldo dhe Mendes donacion një milion eurosh për tri njësi intensive në dy spitale në Portugali

Cristiano Ronaldo (Foto: Catherine Ivill/Getty Images/Guliver)

Cristiano Ronaldo dhe agjenti i tij, Jorge Mendes, do t’i financojnë tri njësi të kujdesit intensiv që merren me pacientët që vuajnë nga infeksioni me coronavirus në dy spitale në Lisbonë dhe në Porto.

Kapiteni i Portugalisë dhe përfaqësuesi i tij tashmë kanë kontaktuar me spitalet, ku do të dhurojnë rreth një milion euro.

Donacioni e ka konfirmuar drejtori i spitalit Santa Maria në Lisbonë, ndërsa spitali tjetër që do të përfitojë nga ky donacion është në Santo Antonio në Porto.

Lexo po ashtu Cristiano Ronaldo dhe agjenti i tij po blejnë barna për t'i ndihmuar të prekurit nga coronavirusi në Portugali

“Jemi kontaktuar nga Jorge Mendes, i cili dalë vullnetarë me Cristiano Ronaldon që të financojnë dy njësi të kujdesit intensiv për pacientët në gjendje kritike që vuajnë nga COVID-19”, ka thënë kryetari i bordit të drejtorëve në spitalin Santa Maria, Daniel Ferro.

Ai ka treguar se ata do të investojnë për të gjitha pajisjet e nevojshme për një njësi intensive, nga krevatet, monitorët, pompat e infuzionit dhe gjithçka që është e nevojshme.

Ndërsa njësia e tretë e kujdesit intensiv do të financohet në spitalin Santo Antonio në Porto, ku po ashtu e kanë konfirmuar donacionin.

Në javën e kaluar, Mendes dhuroi 1.000 maska dhe 200.000 veshje mbrojtëse për spitalin Sao Joao në Porto. Ai i ka porositur edhe tetë ventilatorë të tjerë, të cilët do t’i shpërndajë nëpër spitale në Portugali. /Telegrafi/