Telegrafi

Ronaldo dhe Dybala janë kapur nga kamera duke i akuzuar mesfushorët për lojën e dobët ndaj Lyonit

(Foto: Getty Images/Guliver/Screenshot/Twitter)

Cristiano Ronaldo dhe Paulo Dybala janë kapur nga kamera duke e fajësuar mesfushën për humbjen e Juventusit nga Lyoni në Ligën e Kampionëve.

Kampioni i Italisë ishte favorit i madh për ta fituar përballjen ndaj klubit francez, mirëpo pësoi humbje prej 1-0 në Parc Olympique Lyonnais.

Lexo po ashtu Lyon fiton ndaj Juventusit, vendos goli i Tousart

Paraqitja në gjysmën e parë ishte shumë e dobët, kur edhe e pranuan golin nga Lucas Tousart, ndërsa dyshja e sulmit në zhveshtore e ka akuzuar mesfushën për lojën jo të mirë.

(Foto: Screenshot/Twitter)

Derisa prisnin në tunel për të hyrë në fushë për pjesën e dytë, Ronaldo dhe Dybala duke mos e ditur se prapa po xhirohen në kamerë, kanë biseduar në spanjisht:


Ronaldo: “Na kanë lënë vetëm aty jashtë, mesfushorët nuk po na mbështesin”.

Dybala: “Askush nuk po e merr topin”.

Ronaldo: “E di, madje as topat e dytë, asgjë”.


Në pjesën e dytë, Juventusi u përpoq t’i ndryshonte gjërat, por pa sukses. Prandaj do ta kërkojë përmbysjen në ndeshjen kthyese në Torino. /Telegrafi/