Telegrafi

Ronaldinho: Unë vendosa për largimin tim nga Barcelona, jo Guardiola (Foto/Video)

Ish-mesfushori ofensiv i Barcelonës, Ronaldinho, ka thënë se largimi i tij nga katalunasit kishte qenë vendim i marrë nga ai dhe këtë nuk e kishte vendosur Pep Guardiola.

Në një intervistë për TV3, braziliani ka deklaruar se vendosi të largohej pasi mendonte se i duhej një ndryshim.

“Unë isha ai që vendosi për largimin tim nga Barcelona në vitin 2008, jo Pep Guardiola”.

“Atje veçmë i kisha arritur objektivat e mia dhe kisha nevojë për një ndryshim. Gjithmonë ia kam kaluar mirë me Pep dhe kam punuar me vëllanë e tij (Pere) te Nike”, ka theksuar 37-vjeçari.

Ronaldinho ka luajtur për pesë vite (2003-2008) në Camp Nou duke i ndihmuar klubit që të rikthehej në majat e futbollit.

Lexo po ashtu Dhjetë treshet sulmuese më të mira në shekullin 21 (Foto)

Kohën kur braziliani bartte fanellën e Blaugranëve, skuadra e fitoi Ligën e Kampionëve në vitin 2006 – trofe që nuk e kishin fituar që nga viti 1992.

Megjithatë, pas katër sezoneve të jashtëzakonshme kur edhe e kishte fituar Topin e Artë, gjendja e tij fizike filloi të lëshohej dhe për këtë u fajësua mënyra jetësore e tij dhe pjesëmarrja e vazhdueshme nëpër ndeja të ndryshme.

Dhe pas sezonit të fundit (2007/2008) që tregoi një Ronaldinho që nuk i afrohej atij të dikurshmit, lojtari u transferua te Milani.

Viti 2008 shënoi një epokë të re te katalunasit, kur trajneri i Barcelona B, Pep Guardiola, mori drejtimin e ekipit të parë. Sipas raportimeve të atëhershme, strategu spanjoll kishte kërkuar largimin e treshes Ronaldinho, Deco dhe Samuel Eto’o.

Eto’o qëndroi një vit më shumë, duke i ndihmuar ekipit që ta fitonte tripletën (2008/2009). Në sezonin pasues (2009/2010), kamerunasi u transferua te Interi, ku po ashtu e fitoi tripletën. /Telegrafi/