Legjenda braziliane e futbollit, Ronaldinho, beson se Lionel Messit nuk i duhej asgjë prej tij, pas bashkimit me skuadrën e parë të Barcelonës.
Fituesi i Kupës së Botës 2002 arriti në Camp Nou në vitin 2003 dhe ishte në klub kur një adoleshent me emrin Messi filloi punën në ekipin e parë të katalunasve.
Pasi dha një asistim të mirë për golin e parë të argjentinasit, Ronaldinho do të vazhdonte të krijojë një partneritet të efektshëm me Messin në sulm.
Ndërsa, dukej se po ndihmon Messin të vendoset në Barcelona, braziliani është i bindur se ndikimi i tij nuk ishte i nevojshëm, pasi sipas tij ai ishte gjithmonë i destinuar të shkëlqente.
“Kur arrita në Barcelona, tashmë ishte folur për një fëmijë [Messi] i cili qëndronte jashtë ekipit”, ka thënë fillimisht Ronaldinho për revistën Panenka.
“Atëherë ne ishim miq; filluam të luanim së bashku dhe u zhvilluam shumë mirë. Ai arriti të ishte ndryshe nga të gjithë të tjerët dhe ne biseduam me Frank Rijkaard në mënyrë që ai të vinte të stërviste me ne – gjithçka ishte shumë shpejt”.
“Unë kam qenë me fat që i dhashë pasimin për golin e tij të parë”.
“Me kalimin e kohës, është shumë bukur të shohësh dikë që është kaq afër teje dhe pastaj pushton botën”.
“Ne ishim gjithmonë të afërt. Ne mësuam gjëra, ai më mësoi spanjisht dhe unë i mësova atij gjuhën portugeze, por me topin e kuptuam njëri-tjetrin në mënyrë të përsosur”.
“Do të mbetem i mahnitur nga sa i qetë është ai. Kjo është diçka që unë e dua shumë për të; ai kurrë nuk futet në telashe, ai është gjithmonë me familjen e tij dhe ata që janë afër tij”.
“Leo ka gjithçka, ai nuk kishte nevojë për asgjë nga unë”, përfundoi ylli brazilian. /Telegrafi/