Spekulimet për të ardhmen e Lionel Messit në Paris Saint-Germain janë shtuar në javët e fundit, pas raportimeve se negociatat për një kontratë të re kanë ngecur dhe i fundit që i është bashkuar debatit është ish-bashkëlojtari i tij, Ronaldinho.
Kontrata e Messit skadon në fund të sezonit, që do të thotë se ai mund të largohet falas nga PSG në verë dhe të kërkojë një klub të ri.
Një rikthim në Barcelonë është diskutuar dhe duket të jetë një mundësi e vërtetë, pavarësisht nga vështirësitë financiare të klubit.
Disa lojtarë aktualë dhe ish-lojtarë të Barcelonës i kanë kërkuar Messit të ribashkohet me ish-klubin e tij, me të fundin Ronaldinho.
Braziliani, i cili gjithashtu ka luajtur për PSG-në gjatë ditëve të tij si lojtar, do të jetë i lumtur për Messin pavarësisht se ku do të përfundojë dhe shpresa e tij është që të jetë te Barça.
“Jam shok me Messin, jam shumë i lumtur për të. Më vjen mirë që shoh miqtë që pushtojnë ëndrrat, kjo më bën të lumtur. Për mua, Messi është më i miri i të gjitha kohërave”, ka thënë fillimisht Ronaldinho për Sport.
“Do të doja ta shihja të lumtur, nuk më intereson ku është. Pas gjithë historisë që ka pasur me Barcelonën, do të ishte mirë nëse ai do ta përfundonte karrierën e tij atje”, përfundoi braziliani.
Messi pritet të rifillojë bisedimet me PSG-në në javët e ardhshme, por një rikthim në Barcelonë po bëhet gjithnjë e më shumë realitet. /Telegrafi/