Roma Abramovich do ta shes klubin e Chelseat, ku është pronar tash e 20 vite. Me ardhjen e oligarkut rus në klubin anglez, investimet ishin shtuar, duke e kthyer Chelsean në një nga klubet më të njohura në Evropë.
Abramovich ka lëshuar një komunikatë për media, ku ka njoftuar për shitjen e klubit, gjë që vjen pas sulmit të Rusisë mbi Ukrainën.
“Do të doja të adresoja spekulimet në media gjatë ditëve të fundit në lidhje me pronësinë time të Chelsea FC”.
“Siç e kam thënë më parë, gjithmonë kam marrë vendime me zemër për interesin më të mirë të klubit”.
“Në situatën aktuale, kam marrë vendimin për të shitur klubin, pasi besoj se kjo është në interesin më të mirë të klubit, tifozëve, punonjësve, si dhe sponsorëve dhe partnerëve të klubit”, thuhet në komunikatë.
“Shitja e klubit nuk do të jetë e shpejtë, por do të ndjekë një proces të rregullt. Unë nuk do të kërkoj të shlyhet asnjë borxh. Ky nuk ka qenë kurrë biznes dhe nuk ka të bëjë me paratë për mua, por për pasionin e pastër për lojën dhe klubin”.
“Për më tepër, kam udhëzuar ekipin tim të krijojë një fondacion bamirësie ku të gjitha të ardhurat neto nga shitja do të dhurohen. Kjo do të jetë për të mirën e të gjitha viktimave të luftës në Ukrainë. Kjo përfshin sigurimin e fondeve kritike për nevojat urgjente dhe imediate të viktimave, si dhe mbështetjen e punës afatgjatë të rimëkëmbjes”.
“Ju lutemi ta dini se ky ka qenë një vendim tepër i vështirë për t’u marrë dhe më dhemb që të ndahem me klubin në këtë mënyrë. Megjithatë, besoj se kjo është në interesin më të mirë të klubit”.
Statement from Roman Abramovich.
— Chelsea FC (@ChelseaFC) March 2, 2022
“Shpresoj se do të jem në gjendje të vizitoj Stamford Bridge për herë të fundit për t’ju thënë lamtumirë të gjithëve personalisht. Ka qenë një privilegj i jetës të jem pjesë e Chelsea FC dhe jam krenar për të gjitha arritjet tona të përbashkëta. Klubi i futbollit Chelsea dhe mbështetësit e tij do të jenë gjithmonë në zemrën time”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Abramovich. /Telegrafi/