Roma e ka zhvilluar një gjysmë kampionat shumë të mirë në Serie A.
Skuadra nga kryeqyteti italian ka shkuar në pushim të festave të fund vitit me 27 pikë pas 14 ndeshjeve, gjashtë më pak se lideri Milan.
Por duke parë situatën aktuale në tabelë, Giallorosët mund të ëndërrojnë titullin dhe duan të përforcohen në janar.
Mediat italiane kanë raportuar se trajneri Fonseca është i interesuar t’i rikthejë në Olimpico dy ish-lojtarë të Romës.
Fjala është për Stephan El Shaarawyn dhe mesfushorin belg Radja Nainggolan.
El Shaarawy për momentin është pjesë e klubit kinez Shanghai Shenhua dhe Roma kërkon huazimin e tij gjashtë mujor me mundësi blerje për 10 milionë euro.
Roma ka trokitur edhe në derën e Interit për ish-mesfushorin e tyre Radja Nainggolan.
Edhe belgu pritet t’i bashkohet Romës si huazim për gjashtë muaj me opsionin e blerjes që do ta kenë Giallorosët.
Me ardhjen e mundshme të El Shaarawyt dhe Nainggolan, Roma pritet të bëhet edhe më e fortë për vitin e ri.
Synimi kryesor i Giallorosëve është rikthimi në Ligën e Kampionëve, por duke parë diferencën jo të madhe të pikëve, kryeqytetasit mund të ëndërrojnë edhe triumfin në Serie A. /Telegrafi/