Youri Tielemans po kalon javët e tij të fundit si futbollist i skuadrës angleze Leicester City.
Mesfushori belg do të largohet nga ‘Dhelprat’ pas katër viteve e gjysmë të kaluara dhe e ardhmja e tij duket se do të jetë në elitën e futbollit italian Serie A.
Gjiganti italian Roma është shumë pranë t’i siguroj shërbimet e mesfushorit belg dhe më meritori për këtë është trajneri Jose Mourinho.
Drejtori sportiv i Romës, Pinto ka pasur që disa javë kontakte me përfaqësuesit e belgut i cili gjithashtu ka biseduar me Jose Mourinhon dhe është bindur t’i bashkohet skuadrës italiane në verë si transferim i lirë.
Roma është e gatshme t’i ofrojë reprezentuesit belg një kontratë pesë vjeçare me pagë prej 3,5 milionë euro e cila pas çdo viti do të ketë rritje.
La Gazzeta dello Sport ka raportuar se java e ardhshme pritet të jetë vendimtare pasi palët do të kenë një takim përmbyllës ku besohet se do të arrihet marrëveshja përfundimtare.
Tielemans këtë edicion ka zhvilluar 35 ndeshje zyrtare me Leicesterin ku ka realizuar edhe katër gola dhe ka asistuar në një tjetër.
Përveç Romës në garë për belgun janë edhe Manchester United, Arsenal, Borussia Dortmund e Newcastle United. /Telegrafi/