Rolando Mandragora duket se do të largohet në fund të sezonit nga Udinese për të bërë hapin e madh në karrierë.
Mesfushori defensivë u transferua tek klubi friulan vitin e kaluar për 20 milionë euro nga Juventusi, por Zonja e Vjetër ka vendosur ta rikthejë atë.
Juventus ka klauzolë për riblerjen e lojtarit me shumën e njëjtë dhe ka vendosur ta paguaj atë duke rikthyer Mandragoran në Torino.
22-vjeçari ka shkëlqyer me Udinesen dhe ka zgjuar interesimin e skuadrave të mëdha italiane si Roma, Inter, Fiorentina, Milan e Napoli.
Corriere dello Sport raporton se Roma mbetet skuadra favorite për të nënshkruar me lojtarin, pasi drejtori sportiv i Giallorososve, Gianluca Petrachi ka një marrëveshje personale me të.
Juventusi ka kërkuar nga Roma ta përfshijë mesfushorin italian Bryan Cristante në ofertën për Mandragoran, por deri më tani Roma ka hezituar ta bëjë një gjë të tillë.
Gjithsesi në rast se Roma nuk e ofron Cristanten për shkëmbim me mesfushorin italian, atëherë Juve do të kërkojë 30 milionë euro për shitjen e 22 vjeçarit. /Telegrafi/