Fillimisht u detyrua t’i dorëzonte numrin 10 Neymarit, më pas erdhi reduktimi i minutave në fushën e blertë.
Javier Pastore nuk po kalon një periudhë të mirë te PSG, madje ka minimizuar shanset për t’u grumbulluar nga Jorge Sampaoli me Argjentinën për Botërorin në Rusi.
28-vjeçari duket se është i bindur për të ndryshuar ambient gjatë tregut të transferimeve të janarit. Interesi i Interit për futbollistin është konfirmuar edhe nga fjalët e drejtorit sportiv të“zikaltërve Piero Ausilio, por nga Franca raportojnë se në garë për Pastoren është edhe Roma me Sevillan.
Një derbi i dyfishtë për drejtorin sportiv të Romës, Monchi, që përveçse duhet të duelojë me Sabattinin, aktualisht pjesë e kupolës drejtuese të Interit, i del për detyrë të mposhtë edhe konkurrencën e ish-skuadrës së tij, Sevillas.
Në këtë rast do të ndikojë shumë edhe zgjedhja e futbollistit, që dëshiron një skuadër që i garanton vendin e titullarit.
Vlen të theksohet se agjenti i lojtarit ditë më parë i ka bërë thirrje Interit për të nënshkruar me klientin e tij. /SS/