Site icon Telegrafi

Rolls Royce me vlerë mbi 400 mijë euro vidhet për 30 sekonda në Angli – pa pasur nevojë për çelës

Një grup hajdutësh ka vjedhur një Rolls-Royce Cullinan me vlerë mbi 400 mijë euro, duke shfrytëzuar një pajisje të teknologjisë së lartë.

Raportohet se ngjarja ndodhi në Aveley, Essex, Angli – në orën 4:10 të mëngjesit të së hënës.

Kamera vëzhguese e viktimës ka regjistruar momentin kur njëri nga anëtarët e bandës mbante në duar një antenë, e cila merr sinjal nga çelësi i pronarit.

Ky sinjal përmban një kod për ‘çarmatimin’ e sistemit të sigurisë së veturës.

Sinjali i klonuar e bind veturën se çelësi është afër dhe lejon motorin të punojë.

Policia e Essex tha se çështja është nën hetime, por nuk është bërë asnjë arrestim dhe vetura ende nuk është gjetur.

Ndryshe, bandat kriminale shpesh vjedhin vetura përmes pajisjeve elektronike. Veturat e vjedhura dërgohen jashtë shtetit për t’u shitur ose për t’u tregtuar për pjesë.

Vetëm në Mbretërinë e Bashkuar, janë vjedhur mbi 130 mijë automjete, duke përdorur taktikën pa çelës. Rreth 72 për qind e veturave të vjedhura nuk gjenden kurrë më. /Telegrafi/

Exit mobile version