Site icon Telegrafi

Roli i OSBE-së në zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore, vetëm këshillues

Roli i OSBE-së, në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të katër komunave veriore të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan do të jetë vetëm në këshilla teknike për komisionet komunale të zgjedhjeve si dhe vetëm në ditën e zgjedhjeve për këshillat e vendvotimeve.

Kështu u vendos të hënën në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), e kryesuar nga kryetarja, Valdete Daka.

“Në këtë mbledhje u diskutua lidhur me rolin këshillues të OSBE-së në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunave: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan. Kryetarja e KQZ-së bëri të ditur se roli i OSBE-së në këto zgjedhje, vetëm në këshilla teknike për Komisionet Komunale të Zgjedhjeve si dhe vetëm në ditën e zgjedhjeve për Këshillat e Vendvotimeve, është në funksion të organizimit sa më të mirë të tyre. Në fund, anëtarët e KQZ-së u dakorduan që kryetarja e KQZ-së të komunikojë me drejtues të misionit të OSBE-së në Kosovë për të formalizuar bashkëpunimin”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.

Ndërkaq, sipas njoftimit thuhet se KQZ-ja po ashtu mori vendim për miratimin e specifikave teknike për shtypjen e fletëvotimeve për zgjedhjet në këto katër komuna.

Ndryshe, afati i aplikimit për certifikim të partive politike, kandidatëve, koalicioneve dhe iniciativave qytetare për zgjedhjet në katër komunat e veriut, ka filluar më 9 prill dhe përfundon më 18 prill. /Telegrafi/

Exit mobile version