Site icon Telegrafi

Roli i mediave dhe gazetarëve i pazëvendësueshëm në kohën e pandemisë, kërkohet etikë në raportim

Pas punëtorëve shëndetësor dhe policëve, padyshim edhe roli i gazetarëve në këtë kohë pandemie është shumë i rëndësishëm, prandaj inkurajohen të kontribuojnë dhe të përcjellin profesionalisht ngjarjet e krijuara nga virusi COVID-19 në Kosovë.

Kështu u tha në video-konferencën e UBT-së me temë “Ndikimi i mediave në sensibilizimin e pandemisë së coronavirusit në Kosovë”, që mblodhi virtualisht ekspertë, profesorë të fushës së mediave, dhe gazetarë të mediave në vend.

Konferenca online është transmetuar drejtpërdrejtë në Televizionin UBT, Portalin “Telegrafi”, Gazetën Online “Shneta”, në faqet zyrtare të UBT-së, si dhe në Radio “Campus 100.7 FM”.

Në hapjen e kësaj konference, rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi tha se si asnjëherë më parë, mediat dhe gazetarët duhet të punojnë në sensibilizimin e qytetarëve, të informojnë në kohë reale pa shkaktuar panik për pandeminë.

Hajrizi bëri të ditur se UBT ka shkollën më të madhe të medias dhe komunikimit në rajon, ku po nxjerr kuadro profesionale dhe profesionistë të specializuar e të përgatitur për të raportuar në situata si kjo e pandemisë.

“Mediat she gazetarët po luajnë rol shumë të madh dhe hyjnë në grupin e heronjve të cilët ndihmojnë për informimin dhe orientimin e saktë të publikut. Ne do të angazhohemi dhe nuk dyshojmë që kuadrot që dalin nga Fakulteti Media dhe Komunikim në UBT, janë të përgatitur profesionalisht dhe të aftë në raportimin e ngjarjeve të tilla si pandemia COVID-19”, potencoi rektori Hajrizi.

Dekani i Fakultetit Media dhe Komunikim, Ferid Selimi, rikujtoi që detyrë parësore e çdo mediumi dhe gazetari është informimi i saktë, i shpejtë dhe objektiv.

“Gazetaria është një profesion që është në shërbim të publikut, informimit të drejtë dhe të ndërtimit profesional gazetaresk, e jo të jetë në shërbim të çlirimit emocional në kësi lloj situata. Për informim të drejtë duhet të ketë të dhëna të cilat mbështeten në të vërtetën dhe vetëm në këtë mënyrë bëhet informimi objektiv”, tha dekani Selimi.

Tutje, kryeredaktori në Portalin “Telegrafi”, Muhamet Hajrullahu, tha se në mediumin në të cilin ai punon raportimi kundrejt situatës së krijuar, ka qenë profesional dhe se lajmet që ka publikuar ishin të mbështetura në burime zyrtare.

Ai tha se Telegrafi ishte ndër mediat e para në Kosovë që filloi raportimin për coronavirusin e ri pas përhapjes së virusit në epiqendrën në Wuhan të Kinës.

“Për neve është me rëndësi që para se të publikojmë informatat ato t’i verifikojmë në rrugë zyrtare. Gjatë këtyre ditëve ka pasur raportime për numrin e pakonfirmuar e të prekurve me virusin COVID-19, kemi pasur raste ku janë zbuluar edhe emrat, identitetet, si dhe vendbanimet e tyre, pra me këtë rast është shkelur etika dhe këtu qëndron problemi, etika, problem që po sfidon mediat në vend”, tha Hajrullahu.

Sipas gazetarit në Gazetën Online “Shneta”, Bujar Vitija, në kohën e pandemisë me të cilën po përballet bota raportimi i gazetarëve të fushës së shëndetësisë përballet me sfida të mëdha, pasi sipas tij, fillimisht sfidohen nga rreziku për t’u infektuar nga ky virus vdekjeprurës.

“Vëmendja më e madhe mediale këto ditë është fusha e shëndetësisë për shkak të virusit COVID-19, dhe kjo ka ndikuar në rritjen përgjegjësisë për raportim të mirëfilltë nga terreni, njëherësh ku jemi duke i kushtuar rëndësi eliminimit të lajmeve të rrejshme. Për ta parandaluar këtë, unë si gazetar i profilizuar në shëndetësi po përpiqem që informacionet t’i përpunoj dhe t’i raportoj duke i konfirmuar nga burime zyrtare, pasi që këto lajme po shkaktojnë frikë dhe panik tek qytetarët”, potencoi gazetari Vitija.

Ndërkaq, eksperti dhe profesori në fushën e medias dhe komunikimit, Safet Zejnullahu, theksoi se lajmet në kohë të tilla duhet të jenë të sakta, deri edhe në detajin më të vogël.

Sipas profesorit Zejnullahu, media ka edhe detyrën e dokumentimit të kësaj periudhe.

“Media dhe teknologjia e sotme po na mundëson që ta kemi lajmin për një kohë të shkurtër, mirëpo për shkak të kësaj dukurie shpesh po përballemi me lajme të rreme”, theksoi profesori Safet Zejnullahu, duke shtuar se “shumësia e medias, mundëson edhe shumësinë e gabimeve, të qëllimshme apo të paqëllimshme. Pra, lajmi i mirë, lajmi i saktë shpëton jetë, kurse lajmi i papërpunuar, lajmi i rremë merr jetë”, tha ai.

Në kohën e pandemisë, sipas profesoreshës Gjylije Rexha, ka edhe infodemi dhe shkakton telashe më të mëdha mediave të mirëfillta.

“Periudhat e pazakonta paraqesin një test shumë të madh si për mediat vendore ashtu edhe për mediat ndërkombëtar, prandaj roli i mediave në këtë kohë bëhet jashtëzakonisht shumë i rëndësishëm për faktin që përveç se media informon ajo ka për qëllim edhe të edukon”, tha ajo.

Në fund të konferencës online u tha se duhet të thellohet bashkëpunimi mes akademisë, mediave dhe studentëve të medias, në hartimin e projekteve të përbashkëta mediale ose në mbajtjen e trajnimeve të përbashkëta, duke përmendur UBT-në si shembull të suksesshëm.

 

 

 

 

Exit mobile version