Telegrafi

Roja i një kopshti zoologjik në Japoni vishet si tigër për ta realizuar stërvitjen vjetore të kopshtit

Kopshti zoologjik japonez Tobu në Miyashiro, ka mbajtur një stërvitje trajnimi se si të veprojnë në rast të arratisjes së kafshëve.

Stërvitja është realizuar së bashku me një roje kopshti i cili i veshur si tigër e imitonte sjelljen e kafshës së arratisur.

Videoja nga vendi i ngjarjes tregon rojen duke ecur me këmbë dhe duar, ndërsa punonjësit e tjerë e vënë në veprim planin e tyre, përcjell Telegrafi.

Ekipi i kopshtit vendosi rrjeta dhe përdori qetësues për të nënshtruar kolegun e tyre përpara se ta kthenin atë në një zonë të sigurt.

Ndryshe, kjo stërvitje vjetore cilësohet si shumë e rëndësishme nga shefi i kopshtit zoologjik, Masaru Kaminaga.

“Në rast emergjence, është e rëndësishme që secili person të dijë rolin e tij dhe të përgjigjet në përputhje me rrethanat”,  tha Kaminaga. /Telegrafi/