Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi gjatë fjalimit të tij në seancën e Kuvendit të Kosovës në të cilën u diskutua për themelimin ose jo të Komisionit Hetimor për Energjinë, i kërkoi deputetëve të pozitës që të jenë të sinqertë e mos të gënjejnë, duke përfshi edhe familjarët e tyre.
Krasniqi tha se tifozeria është e kuptueshme për ndonjë temë, duke iu drejtuar pozitës, e i pyeti se kur të shkojnë në shtëpi si do t’i arsyetohen familjarëve të tyre për rastin e Martin Berishajt, për rritjen e tarifave të rrymës, etj.
“Shikoni tifozeria është e kuptueshme për ndonjë temë, unë nuk ua ndërroj mendjen. Por kur të shkoni nëpër shtëpitë tua, kur të flisni me familjarët e juaj, prindërit e juaj, bashkëshortet e fëmijët, me ata jini të sinqertë. Qatyne kallxomni qysh keni me ia arsyetu për rastin e Martin Berishajt, qysh keni me ia arsyetu rritjen e tarifave, këtë insistim mos me hetu këto dyshime marramendëse. Qysh keni me ia arsyetu? Duke i thënë Albini po na thotë e s’kemi çka me i bo a? S’mund t’i arsyetoheni atyne. Andaj bëheni të sinqertë me vetveten”, tha Krasniqi, raporton Telegrafi.
I menjëhershëm ishte reagimit i deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Mirsad Shkreta i cili ia bëri me dije Krasniqit që së pari duhet të merret me gjuhën fyese të deputetit të PDK-së, Abelard Tahirit e jo të deputetëve të pozitës.
“Robt e tu mund të jenë më të ofenduar se robt tanë për atë që the më herët. E kryetari yt në vend që të merrej me gjuhën që e përdore ti, po merret me gjuhën tonë se si të flasim e sillemi në parlament. Kjo flet për hipokrizi të opozitës”, u shpreh ai duke iu drejtuar deputetit Aberlard Tahiri.
Më pas deputeti Shkreta replikoi edhe me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi.
“…Ne nuk vijmë nga rruga, por nga profesionet tona. Shembullin e rrugës në politikë e keni ju”, u shpreh ai.
Ndërsa replika nuk mungoi as nga Krasniqi duke i thënë Shkretës se kulturën e rrugës e ka gjet në partinë që ka shkuar, në LVV.
“Mirsad Shkretës s’ia përmenda emrin… Kulturën e rrugës e ke gjet në këtë parti që ke shku. Se kjo është parti që në rrugë i ka kall institucionet. Nëse aludon tek ‘Ritmi i Rrugës’ që e ke ngu kur je rrit, ajo është një nga senet me krenare që e kam bërë unë. E kam ngrit zërin më shumë se ti….. E nëse mendon që arti është diçka e keqe, po e ofendon Ardiana Matoshin që është pjesë e partisë. Mirsad mos e fsheh krimin, mos u bë pjesë e tyre…”, u shpreh Krasniqi. /Telegrafi/