Rreth 10 milionë vende pune në Britaninë e Madhe janë në rrezik për shkak të avancimit të teknologjisë në 20 vitet e ardhshme. Ky është rezultati i një studimi mbi ndikimin që do të ketë teknologjia në tregun e punës. Zhvillimi i teknologjisë, automatizimi dhe robotika do të shkaktojnë një ndryshim të rëndësishëm në tregun e punës në Britaninë e Madhe gjatë 20 viteve të ardhshme. Sipas një studimit të Deloitte dhe Universitetit të Oksfordit tregu aktual në Britani mund të minimizohet me 35 për qind.
Ndërkohë, Zyra Kombëtare e Statistikave raporton se në muajin gusht ishin të punësuar rreth 30.76 milionë persona dhe sipas përllogaritjeve 1/3 e këtyre vendeve të punës do të jenë të kërcënuara nga ndryshimet teknologjike. Gjithashtu, në vitin 2013 është publikuar edhe studim tjetër sa i përket tregut të punës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me titull “E ardhmja e Punësimit”.
Aty parashikohet se rreth 47 për qind e të punësuarve në Shtetet e Bashkuara kërcënohen nga automatizimi i proceseve të ndryshme të punës.
Sipas raportit rreziku më i madh është për punët në zyra ose mbështetje administrative, shitje dhe shërbime, transport, ndërtim dhe prodhim.
Ndërsa më pak në rrezik janë profesionet: menaxhimi, shërbimet financiare, informatika, inxhinieria dhe shkenca, edukimi, shërbimet ligjore, arti, media dhe kujdesi shëndetësor. Ndërkohë, një studim tjetër në 100 biznese në Londër, tregoi se një pjesë e tyre kanë filluar të reagojnë ndaj ndryshimeve të mundshme. /Telegrafi/