Donald Trump po ndihet shumë mirë dhe dëshiron të kthehet në punë në Shtëpinë e Bardhë, por do të qëndrojë në spital edhe për ca kohë, tha Këshilltari për Sigurinë Kombëtare, Robert O’Brien.
Presidenti i SHBA-së, Trump gjatë ditës së premte ishte konstatuar se është infektuar me coronavirus, raporton CNN.
“Unë fola me shefin e stafit të Shtëpisë së Bardhë (Mark Meadows) dhe lajmi i mirë është se presidenti ndihet me të vërtetë mirë dhe se në të vërtetë dëshiron të shkojë në Shtëpinë e Bardhë dhe të kthehet në punë, por mendoj se do të qëndrojë në Walter Reed për të paktën disa kohë”, tha O’Brien për Face the Nation të CBC-së, transmeton Telegrafi.
Trump po trajtohet në Spitalin Ushtarak Walter Reed, jo shumë larg Uashingtonit.
O’Brien, i cili vetë ishte infektuar me coronavirus gjatë verës, tha se dita e shtatë dhe e tetë e sëmundjes ishin kritike dhe se mjekët donin të ishin afër presidentit.
I pyetur nëse po diskutohet një zëvendësim i mundshëm i Trumpit në rast se nuk është në gjendje të shërbejë, ai tha se “Jo, kjo nuk është në tryezë për momentin”.
Ai theksoi se nuk dëshironte të merrej me spekulime dhe shtoi se “Ne kemi plane për gjithçka”.
Ndryshe, stafi mjekësor i presidentit gjatë një konferencë për shtyp ka pohuar se Trump ka luhatje në shëndet, por që mendohet se trajtimin do ta vazhdojë në Shtëpinë e Bardhë. /Telegrafi/