Site icon Telegrafi

Robert Berisha: Më kanë thënë se duhet t’i falënderohem Norës për famën, por kur kam dalë unë në skenë – ajo ka qenë pesë vjeçe

Në një intervistë të sinqertë në emisionin “Cherry on Top” me moderatoren Bora Zemani, këngëtari i njohur Robert Berisha ka folur rreth disa prej deklaratave të tij që kanë shkaktuar zhurmë në skenën muzikore dhe mediatike.

Njëra prej tyre ka qenë komenti i bujshëm kundrejt këngëtares Xhensila Myrtezaj, ku ai sugjeroi se popullariteti i saj ishte ndikuar nga lidhja me aktorin dhe komedianin Bes Kallaku.

Berisha pohoi se komenti i tij nuk ishte i qëllimshëm dhe se ai nuk e kishte për qëllim të merrte vëmendje, duke pranuar në të njëjtën kohë talentin dhe suksesin e Xhensilës si artiste. “Nuk kam nevojë për atë lloj fame, unë e bëj pa qëllim”, tha Roberti, dhe vijoi me një ton falënderimi, “Nëse jam gabim kërkoj falje një mijë herë…Xhensila është një këngëtare shumë e mirë dhe bukuroshe dhe nuk është rastësisht këtu ku është”.

Foto: Cherry On Top/Instagram

Ai theksoi gjithashtu se nuk ka pasur një kontratë të drejtpërdrejtë me produksionin e një koncerti të diskutuar dhe shtoi se çështja është keqkuptuar si sulm ndaj Besit dhe Xhensilës, të cilëve iu uroi sukses të mëtejshëm.

Lexo po ashtu Robert Berisha: Xhensila duhet ditë e natë t'i falënderohet Bes Kallakut për famën që ka, sepse ka qenë vajzë që s'e ka njohur askush

Në intervistën me Zemanin, Roberti nuk la pas dore edhe komentet që i referoheshin se ai ishte bërë i famshëm falë lidhjes me këngëtaren e njohur Nora Istrefi.

Foto: Nora Istrefi/Instagram

“Kam pas komente që edhe t’i duhet ta falënderosh Norën. Kush nuk e di unë jam çuni i Tomor Berishës, kompozitorit shumë të njohur. Kur kam dalë në skenë Nora ka qenë pesë vjeçe. Atëherë nuk ka pasur rrjete sociale dhe Youtube dhe më njihte vetëm Kosova. Por për Shqipërinë, që pas fejesës me Norën më ka dhënë një shtysë dhe e falënderoj deri sa të jem gjallë”, tha këngëtari.

Një tjetër zhvillim interesant që Roberti ndau me publikun ishte lajmi se ai do të bëjë një intervistë me ish-partneren e tij, Nora Istrefi. Ai zbuloi se ajo zakonisht shmang intervistat, por kur vjen puna tek një intervistë me të, “duhet të vijë shumë e përgatitur”, siguronte ai, duke shtuar se kjo intervistë “shumë shpejt ka për të ndodhur”, dhe ajo do të jetë një prej të ftuarave të tij në emisionin “Robi plaket kur don vet”. /Telegrafi/

Exit mobile version