Këngëtari i njohur Robert Berisha, ka qenë i ftuar së fundi në rubrikën “25 pyetje” të emisioni “Prive”.
Ai ka treguar se muzika është jeta e tij, dhe se edhe pse ishte shtetas amerikan kishte sakrifikuar gjithçka për t’u kthyer në Kosovë dhe për t’u marrë me muzikë.
I pyetur nëse ka tentuar ndonjëherë të blejë klikime, i cili është një trend shumë i përhapur në estradë, Roberti tha se po ta bënte një gjë të tillë do të kishte më shumë klikime se sa ka tash.
Ai madje shtoi se dikur pronarët e diskotekave dikur bazoheshin në klikime për të marrë një këngëtar në koncert, dhe krejt e kundërta ndodhte pasi publiku ishte në mungesë.
Mirëpo Berisha potencoi se gjëra të tilla nuk po ndodhin më, kjo pasi të gjithë janë mbushur mend dhe përzgjedhja e këngëtarit për të kënduar bëhet në bazë të vlerave.
I njëjti gjithashtu tregoi se jeta e tij ishte më e shëndetshme pa rrjete sociale, ndërsa tani i shfrytëzon ato për reklamim të punës së tij. /Telegrafi/