Telegrafi

Robert Berisha futet në karantinë, kritikon gjendjen e papastërtisë brenda konvikteve në Prishtinë

Foto: Robert Berisha/Instagram

Këngëtari Robert Berisha ka udhëtuar sot (e enjte) nga Stambolli në Kosovë, dhe me të arritur këtu është dërguar në karantinë.

Përkatësisht sipas rregullores, ai është dërguar me të gjithë të ardhurit nga Stambolli në konviktet e studentëve, të cilat janë shndërruar në karantinë pas gjendjes emergjente për shkak të virusit COVID-19.

Robert Berisha erdhi nga Turqia në Kosovë të enjten e 19 marsit (Foto: Robert Berisha/InstaStory)

Këngëtari ndau me ndjekësit e tij në InstaStory një imazh të asaj që duket të jetë një lavaman brenda konviktoreve të studentëve.

Në mbishkrimin e kësaj fotografie, Roberti reagoi me ironi duke shkruar se papastërtia që mbizotëron aty është sikur të ikësh nga virusi e të kthehesh sërish në virus.

Foto: Robert Berisha/InstaStory

“Konvikti i Prishtinës, karantinë për udhëtarët nga Stambolli, ik prej virusit, hajde në virus. Bravo Ministër”, ka shkruar këngëtari Berisha në mbishkrimin e kësaj fotografie.

Ndërkohë, numri i të infektuarve në Kosovë me coronavirus vazhdon të jetë plot 20 sosh, teksa tek të mërkurën u shënua dita e parë në vend ku asnjë rast nuk i evidentua me infektimin nga virusi COVID-19. /Telegrafi/