Ministrja për Ekonomi, Artane Rizvanolli ka raportuar para komisionit për Ekonomi, Industri, për kërkesën e KOSTT-it prej 11 milionë eurosh drejtuar Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës për pagesën e energjisë të shpenzuar nga qytetarët me shumicë serbe në katër komunat veriore.
Rizvanolli tha se është një sfidë e madhe me të cilën Kosova po ballafaqohet për çështjen e shpenzimit të energjisë në katër komunat veriore, e që kërkohet të paguhet nga KOSTT.
Pas insistimit të deputetëve nga opozita sa e a do ta bëjë kjo Qeveri këtë pagesë prej 11 milionë, ministrja Rizvanolli tha se qëndrimi i qeverisë është që të gjejë një zgjidhje afatgjate, por kjo brenda muajsh nuk mund të ndodhë.
Ministrja tha se mjete buxhetore për këtë kategori nuk ka, por theksoi se Ministria e Financave është duke u munduar për të parë mundësit alternative edhe nga Fondi i Veriut.
Ajo ka kërkuar mbështetje nga Kuvendi si themelues i KOSTT për të mos rrezikuar anëtarësimin në ENTSO-E.
“Vetëm gjatë vitit 2020 kemi pasur rritje 14 për qind të konsumit të energjisë në katër komunat veriore. Jemi në hartim e sipër të një plani për të zgjidhur çështjen e problemit me energji në veri. Plani do të jetë për të pasur trajtim të barabartë të gjithë qytetarët e Kosovës. Deri atëherë, është tepër me rëndësi që së bashku me Kuvendin të bëjmë një zgjidhje që anëtarësimi ne ENTSO-E të mos rrezikohet”, theksoi Rizvanolli.
Kryetari i Komisionit, Ferat Shala theksoi se në kërkesën e KOSTT janë në pyetje 11 milionë euro për vitin 2021 sikur që janë ndarë edhe vitin e kaluar prej 10 milionë euro nga Qeveria Kurti 1.
Shala ka kërkuar përgjigje nga Rizvanolli për veprimtarinë ilegale në veri me kriptovalutat, që mendohet se kanë shkaktuar rritje të shpenzimit të energjisë.
Anëtarja e Komisionit, Mimoza Kusari tha se ky problem ka prekur tri qeveri dhe potencoi se është një problem shtetëror.
Deputeti Pal Lekaj tha se Kosova duhet parë si tërësi për të mos pasur diskriminim të qytetarëve.
“Si pushtet keni numrat e mjaftueshme dhe mund ta zgjidhni këtë problem diskriminues. Pyetja është a doni me bërë pagesën?”, ka pyetur Lekaj.
Deputeti nga VV, Driton Hyseni ka kërkuar të shikohen mundësitë që KOSTT me të hyrat e saja buxhetore të bëjë një zgjidhje deri në nxjerrën e planit qeveritar për këtë çështje në veri.
Për këtë temë, janë duke raportuar Bordi dhe drejtori i ekzekutiv i KOSTT për kërkesën e tyre financiare dhe gjendjen në këtë ndërmarrje publike. /KP/