Ministrja e Ekonomisë e Republikës së Kosovës, Artane Rizvanolli ka përfaqësuar Republikën e Kosovës në Forumin e Energjisë së Evropës Juglindore (SEEF 2024), që po mbahet në Selanik të Greqisë.
Ministria e Ekonomisë njofton se Rizvanolli ka qenë pjesë e panelit ministror “Bashkëpunimi energjetik në Evropën Juglindore dhe rajoni Mesdheut Lindor: Një kthim për sigurinë e energjisë në BE”, ku së bashku me homologët e saj nga Greqia, Theodore Skylakakis, Maqedonia e Veriut, Sanja Bozhinovska, atë të Bullgarisë, Vladimir Malinov dhe ministrin rumun, Sebastian Burduja, kanë diskutuar për bashkëpunimin energjetik në rajon.
Me këtë rast, Ministrja Rizvanolli ka theksuar se lëndët e para si Litiumi, nuk mund të sigurohen duke forcuar regjime autokratike me tendenca për destabilizimin e rajonit.
Po ashtu, ajo ka vlerësuar se bashkëpunimi me partnerë me të cilët i ndajmë vlerat është tejet i rëndësishëm për sigurinë e energjisë të rajonit.
Në forum kanë marrë pjesë ministra të vendeve të rajonit dhe përfaqësues nga Departamenti i Energjisë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku janë diskutuar tema të ndryshme për të ardhmen e energjisë në rajon, përballja me krizat energjetike, orientimin drejtë energjisë së gjelbër dhe burimeve tjera energjetike të ripërtërishme.
Ndryshe, kancelari gjerman, Olaf Scholz gjatë një vizite në Beograd në korrik tha se projekti Jadar, i cili parasheh krijimin e një miniere litiumi në pjesën perëndimore të Serbisë, është gjë e mirë për këtë vend.
Përgjatë Samitit për Lëndët e Para të Qëndrueshme në Beograd, blloku evropian dhe Serbia kanë nënshkruar memorandum mirëkuptimi për partneritet strategjik lidhur me lëndën e parë të qëndrueshme, rrjetin e prodhimit të baterive dhe makinave elektrike./Telegrafi/