Site icon Telegrafi

Rizvanolli: Është siguruar furnizimi i rregullt me energji elektrike, Ibër Lepenci në afat rekord ka vendosur gjashtë tuba të përkohshëm

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli sot në orët e mëngjesit ka bërë të ditur se pas një angazhimi të jashtëzakonshëm të institucioneve tona, është siguruar furnizimi i rregullt me energji elektrike për vendin dhe ngrohje qendrore për qytetarët e Prishtinës.

Rizvanolli në një postim në Facebook shkruan se Ibër Lepenci, rreth orës 02:00 pas mesnate, në një afat rekord, ka vendosur gjashtë tuba të përkohshëm me kapacitet të mjaftueshëm për të siguruar ujë për ftohjen e termocentralit “Kosova B”.

“Ibër Lepenci, rreth orës 02:00 pas mesnate, në një afat rekord, ka vendosur gjashtë tuba të përkohshëm me kapacitet të mjaftueshëm për të siguruar ujë për ftohjen e termocentralit “Kosova B”. Kësisoj, presim që furnizimi me energji elektrike të vazhdojë i pacenuar”, tha ajo.

Ministrja Rizvanolli tutje thekson se janë në koordinim edhe me Korporatën Energjetike të Shqipërisë për të siguruar energji shtesë për të evituar reduktime eventuale.

“Nga ky akt terrorist është ndikuar edhe furnizimi me ujë. Përderisa në Prishtinë furnizimi me ujë do të kompensohet nga Badovci dhe Batllava, furnizimi në Fushë Kosovë, Drenas dhe rajonin e Mitrovicës do të sigurohet përmes autobotëve, duke nisur nga mëngjesi i sotëm”, tha ajo.

“Qytetarët inkurajohen të ndjekin njoftimet e Kompanive Rajonale të Ujësjellësit për informata të sakta.

Faleminderit Ibër Lepencit, Policisë së Kosovës dhe KEK-ut për reagimin e shpejtë, si dhe AME-së dhe KRU-ve, të cilët kanë vënë në dispozicion të gjitha autobotët dhe kapacitetet e nevojshme njerëzore për një zgjidhje emergjente”, tha ajo. /Telegrafi/

Exit mobile version