Partitë Opozitare dolën me idenë për rizgjedhje të përgjithshme të 650 gjykatësve aktual. Drejtuesi i LSDM-së, Zoran Zaev gjatë debatit të djeshëm ku ishin prezent edhe përfaqësues të partive tjera tha se duhet të organizohet rizgjedhje, ku do të merrnin pjesë edhe gjykatësit aktual. Ivon Veliçkovski i Partisë Liberale tha se votimi i gjykatësve duhet të bëhet në Kuvend. Në hulumtimin e OSBE-së, ku janë anketuar 421 gjykatës nga gjithsej 650, rezultatet tregojnë se ndaj gjykatave ka presion. 32% prej gjykatësve të anketuar thonë se përballen me presion dhe ndikim të jashtëm gjatë marrjes së vendimit. Gazetari Sasho Dimovski thotë se për këtë vendimin për ndryshim duhet ta marrë një komision kompetent.
“Patjetër se do të duhet një rizgjedhje gjeneralë të gjykatësve, por ai duhet të realizohet në principet të fuqishme, në kritere të qarta të cilat do ti vendosin të gjitha partitë. Por patjetër që qartë të dihet, se në atë periudhë se ai gjykatës si ka gjykuar. Do të thotë ti shfletohen të gjitha vendimet, por ajo ta bën një komision kompetent e cila do të ketë krebilitet”, u shpreh për tv21 Sasho Dimovski, Gazetar.
Sipas tij, partia në pushtet ka mbushur gjykatat me gjykatës të rinj, që nuk mundet të përballen me presionin. Vetëm në 10 vitet e fundit, 500 nga gjithsej 650 gjykatës janë zëvendësuar me gjykatës të rinj. I njëjtit mendim është edhe ish kryetari i Gjykatës së Apelit, Jordan Mitrinovski. Ai thotë se këto ndryshime duhet të ndodhin edhe në Këshillin Gjyqësor.
“Gjendja në gjyqësor tregon se është e nevojshme që në mënyrë eksplicite të bëhet rizgjedhje të gjykatësve. Këtu do ta përfshija edhe përbërjen e Gjykatës Kushtetuese, kurse këto ndryshime duhet të ndodhin edhe në Këshillin Gjyqësor, sepse edhe ai është një instrument partiak”, tha Jordan Mitrinovski, ish kryetar i Gjykatës se Apelit.
Mitrinovski vlerëson nevojën për rikthimin e sistemit të vjetër, ku Parlamenti votonte gjykatësit, e një shembull i tillë siç tha ai funksionon në Slloveni. Por, me këtë propozim nuk pajtohet drejtoresha e Akademisë për Gjykatës dhe Prokurorë, Aneta Arnaudovska. Ajo thotë se ideja për rizgjedhjen është anti-kushtetuese, si dhe në kundërshtim me të gjitha standardet evropiane.
“Ideja për rizgjedhjen e përgjithshme të gjykatësve jo vetëm që është në përplasje me kushtetutën e vendit, por është edhe në kundërshtim me të gjitha rregullat ligjore, si dhe është në kundërshtim me të gjitha standardet evropiane, standarde që e garantojnë pavarësinë e gjyqësorit. Tentime të tilla kishte në Ukrainë, por Komisioni i Venecias e shpalli atë si vendim kundër kushtetutës, gjithashtu edhe Serbia bëri një rizgjedhje të ngjashme, por gjykata kushtetuese e Serbisë hodhi poshtë ato ndryshime dhe gjykatësit u kthyen”, shtoi Aneta Arnaudovska Drejtoreshë në Akademinë për Gjykatës.
E pyetur se a mund të jetë një ndër problemet edhe zgjedhja e gjykatësve të rinj? Ajo thotë se Akademia për Gjykatës dhe Prokurorë ofron trajnim profesional, kurse nga 90 kandidatë që kanë përfunduar akademinë, 88 janë zgjedhur si gjykatës dhe prokuror. Arnaudovska thotë se vendimi eventual për rizgjedhjen e përgjithshme do të demotivojë të gjithë kandidatët që në të ardhmen duan të aplikojnë në këtë akademi./Telegrafi/