Site icon Telegrafi

Rivaliteti anash, dy yjet e Barçës reagojnë me një mesazh për Carvajal pas lëndimit të rëndë

Dy anëtarë të Barcelonës kanë ndarë kohën e tyre për t’iu drejtuar me një mesazh yllit të Real Madridit, Dani Carvajal, i cili pësoi një lëndim të tmerrshëm ndaj Villarrealit.

Veterani spanjoll në takimin që Real Madridi e fitoi me rezultat 2-0 ndaj ‘Nëndetëses së Verdhë’ këputi ligamentin ACL si dhe pati edhe tri thyerje të tjera në atë zonë, duke e detyruar që të largohet me barrelë nga loja.

Si rezultat i këtij lëndimi, pritshmëritë janë që ai të mbetet jashtë fushave për 1 vit, mirëpo kjo varet se si shkon procesi i rikuperimit nga lëndimi.

Në mesin e shumë mesazheve që Carvajal i mori pas lëndimit, nuk munguan as ato nga futbollistët e Barcelonës, më saktësisht dyshja e mesfushës Pedri dhe Gavi, që i uruan shërim të shpejtë.

“Shumë mbështetje për ty vëlla. Së shpejti do të qajmë sërish së bashku por me gëzim dhe dashuri”, ka thënë Pedri.

“Qëndro i fortë Carva! Ti do të rikthehesh si bisha që je”, ka shkruar Gavi i cili po ashtu po rikuperohet nga lëndimi i njëjtë./Telegrafi/

Exit mobile version