Site icon Telegrafi

I riu shqiptar erdhi i pajetë në atdhe, Spanja pranon të kthejë zemrën e Saimir Sulës

Autoritetet spanjolle kanë pranuar të kthejnë në Shqipëri zemrën e të ndjerit, Saimir Sula. Ai u soll i pajetë nga Spanja në vendin tonë në vitin 2020, pa një organ, zemrën.

Ministria jonë e Drejtësisë ka njoftuar këtë të diel se autoritetet spanjolle kanë rënë dakord për dërgimin e zemrës, ndërsa është lënë data 12 korrik për ta sjellë atë në Shqipëri.

Mungesa e organit në trupin e të ndjerit Saimir Sula, është konstatuar nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Tiranë, ndërsa prokuroria e kryeqytetit ka regjistruar një procedim penal për “shitblerje e paligjshme e organeve”.

A2 zbardhi në atë kohë dëshminë e motrës së të ndjerit, Majlinda Sula, referuar dosjes së prokurorisë, ku zbulohen detaje të ngjarjes së pazakontë. Ajo ka rrëfyer se në 9 maj të vitit 2020, teksa jetonte në Barcelonë, Spanjë, kishte shoqëruar vëllain e saj, Saimir Sula, përdorues të lëndëve narkotike, në spitalin “Del Mar” pas dyshimeve për Covid-19. Të nesërmen, teksa një infermiere i kishte thënë në telefon se do t’i bënin një kontroll mushkërish, vëllai i ka thënë në telefon duke qarë “Majlinda këtu po më marrinshpirtin, i thuaj infermieres të më lirojë pak se po vdes”.

Deklaruesja ka mësuar të nesërmen se vëllai ishte negativ në testin e Covid-19 dhe duke pasur parasysh faktin se vëllai mjekohej me anti-psikotikë dhe kishte frikë nga njerëzit, ka kërkuar ta merrte në shtëpi. Rreth orës 18:00 të së njëjtës ditë ajo është telefonuar nga spitali, ku i kanë thënë se vëllait i ka pushuar zemra.

Pas dyshimeve për neglizhencë mjekësore motra ka kërkuar autopsi për vëllain në Barcelonë. Të njëjtën gjë, ajo e ka kërkuar edhe në Shqipëri, ku Instituti i Mjekësisë Ligjore ka konstatuar se në trupin e të ndjerit mungonte zemra.

“Çështja mbi shtetasin e ndjerë Saimir Sula është konsideruar me prioritet dhe vëmendje të veçantë nga Ministria e Drejtësisë, në cilësinë e autoritetit qendror në bashkëpunimin me autoritetet e huaja në fushën penale, duke transmetuar kërkesat e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë drejtuar autoriteteve spanjolle. Kjo prokurori ka trajtuar menjëherë kërkesën për fillimin e procedimit penal në Shqipëri, dhe paraqitjen e letërporosisë tek autoritetet spanjolle te drejtësisë duke u kërkuar këtyre autoriteteve në mënyrë të vazhdueshme nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë, informacion për ecurinë e ekzekutimit të letërporosisë si dhe përshpejtimin e procedurës së ekzekutimit. Prokuroria paraqiti kërkesën e dytë për ndihmë juridike ku specifikisht kërkoi kthimin e zemrës së të ndjerit në Shqipëri. Për një kohë të konsiderueshme autoritetet spanjolle nuk u përgjigjen.

Ministri i Drejtësisë kërkoi dhe realizoi takimin me Ministrin e Drejtësisë së Mbretërisë së Spanjës. Në këtë takim i kërkoi me insistim angazhimin për të kërkuar nga autoritetet gjyqësore spanjolle ekzekutimin e letërporosisë së autoriteteve gjyqësore shqiptare. Për këtë qëllim, autorizoi përfaqësuesin e Ministrisë së Drejtësisë në bashkëpunim me prokurorin e çështjes për të zhvilluar takim në Barcelone me Prokurorë pranë Departamentit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, dhe Prokurorë e çështjes.

Në lidhje me rastin konkret, prokurori shqiptar kërkoi garanci për ruajtjen e organit dhe prokuroi spanjoll i vuri në dispozicion kopje të vendimit të gjykatës se Barcelonës ku ishte disponuar mos asgjësimi i organit (zemrës) së të ndjerit Saimir Sula nga Instituti i Mjekësisë Ligjore. Më pas, pritej vendimi për lejimin e riatdhesimit të zemrës.

Gjykata e Hetimit nr.16 në Barcelonë, mori vendimin dhe e përcolli pranë Ministrisë së Drejtësisë në datën 25 Maj 2023. Ministria e Drejtësisë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Përgjithshme, Prokurorinë e Tiranës, Institutin e Mjekësisë Ligjore, me mbështetjen e Ambasadës Shqiptare në Madrid, kanë zhvilluar komunikime të vazhdueshme për detajet logjistike të kësaj procedure, rruga e transportit ajror, detar apo tokësor, mënyra e transportimit. Autoritet spanjolle në përgjigje të kërkesave të Ministrisë së Drejtësisë në cilësinë e pikës së kontaktit dhe koordinatorit të këtij procese, kanë dhënë informacion mbi këto detaje logjistike.

Për sa më lart, Ministria e Drejtësisë i paraqiti sugjerimin për kryerjen e procedurave në Barcelone në datën 12 korrik 2023. Nëse autoritete spanjolle do jenë dakord mbetet vetëm marrja e lejeve tranziti nga të gjitha shtetet ku do kalojë automjeti.

Ministria e Drejtësisë ka autorizuar përfaqësuesin e saj nga Drejtoria e Marrëdhënieve Juridiksionale dhe Bashkëpunimi Ndërgjygjësor, përfaqësuesin e Institutit të Mjekësisë Ligjore, Prokuroria ka autorizuar Prokurorin e çështjes, 2 oficerë të policisë gjyqësore nga Drejtoria e Marrëdhënieve Juridiksionale me Autoritetet e Huaja dhe përfaqësuesi i Ambasadës Shqiptare në Madrid.

Të gjithë përfaqësuesit e lartpërmendur me praninë e përfaqësuesit të familjes dhe përfaqësuesve të Gjykatës së 16 të Barcelonës, përfaqësuesin e Institutit Kombëtar të Toksikologjisë së Barcelonës do të kryejnë procedurën e dorëzimit dhe marrjes në dorëzim të organit”, njofton Ministria e Drejtësisë./A2 CNN

Exit mobile version