Site icon Telegrafi

Rithemelimi prezanton programin ekonomik: Reformë në financat publike dhe qeveri e vogël

Grupi i “Rithemelimit” në Partinë Demokratike ka prezantuar sot programin ekonomik 2025-2029, i cili është hartuar nga departamentet e Ekonomisë, Financave Publike dhe Sipërmarrjes.

Sipas njoftimit për mediet, nën drejtimin e koordinatorit të programit ekonomik Dorjan Teliti, u prezantua puna e deritanishme e tyre. “Fokus kryesor është rritja ekonomike gjithëpërfshirëse e vendit, e cila sipas ekspertëve të departamenteve do të bazohet mbi disa shtylla kryesore: Tranzicioni ekologjik dhe digjital, puna dhe e drejta sociale”.

“Rritja ekonomike do të mbështetet nga një sistem i thjeshtë fiskal me norma të ulëta, gërshetuar me burokraci të thjeshtuara, të kuptueshme e të pranuara nga të gjithë aktorët e tregut. Krijimi i një Banke Zhvillimore me kapital shtetëror dhe kontribut të skemave të garancisë së donatorëve ndërkombëtarë, e cila do të financojë me kosto minimaliste të gjitha projektet që konsiderohen prioritare për zhvillimin si start-up e të rinjve, projekte zhvillimore, projekte të emigrantëve shqiptarë që do të kthehen në atdhe”, njofton Rithemelimi.

“Reformë e thellë e sistemit fiskal aktual duke e thjeshtëzuar për të lehtësuar konsumatorët dhe bizneset. Uljen e numrit të shkallëve të ndryshme tatimore. Implementimin e një takse të sheshtë 10% mbi kapitalin. Implementimin e tatimit 10% mbi të ardhurat nga puna duke përjashtuar 50 mijë lekët e para. Hiqet taksimi progresiv. 10% tatim edhe mbi të ardhurat jo nga paga. Zero taksim mbi profesionet e lira dhe biznesin e vogël”, vijon njoftimi.

“Tavani vjetor për tatimfitimin zero për biznesin e vogël do të jetë në 18 milionë lekë, ndërsa kufiri i përjashtimit nga TVSH do të jetë 14 milionë lekë xhiro vjetore. Ulje nga 15% në 2% të taksës së shitjes së pronës. Çdo litër karburant do të kushtojë 24 lekë më lirë. Kontrollet vetëm bazuar në analiza risku, me pak burokraci. Thjeshtimi nëpërmjet TIK do të jetë kryefjala e qeverisjes së PD-së, si dhe rishikim i sistemit të gjobave”, njofton Rithemelimi.

Rithemelimi njofton se në program ka parashikuar një reformë të thellë në financat publike dhe sektorin financiar.

“PD i rikthehet qeverisjes së vogël por eficiente. Rikthejmë garën reale në prokurimet publike, anulojmë çdo koncesion korruptiv dhe klientelist, heqim me ligj PPP e pakërkuara. Fuqizimi i menaxhimit financiar dhe kontrollin, auditit të brendshëm dhe harmonizimit qëndror, do të bëjnë të mundur rritjen e përgjegjshmërisë menaxheriale dhe përdorimin e duhur të parasë publike. Vëmendje të veçantë do të ketë edhe fuqizimi i tregut të kapitaleve dhe zhvillimi i shtyllës së dytë të pensioneve për të rinjtë shqiptarë”, përfundon njoftimi.

Exit mobile version