Site icon Telegrafi

Ritëm me aksione dhe gola nga të dyja anët, por pa fitues – mbyllet derbi mes Juventusit dhe Interit

Juventusi dhe Interi i kanë ndarë pikët në derbin që u zhvillua në kuadër të javës së 13-të në Serie A, pasi rezultati në fund ishte 1-1.

Ndeshjen më mirë e filluan Nerazzurët, që kishin një dominim të lehtë, por rasti i parë për gol u krijua nga vendasit.

Ishte minuta e 16-të e takimit kur Adrien Rabiot pasoi te Federico Chiesa, por që italiani goditi afër shtyllës së majtë.

Zonja e Vjetër shënoi e para në derbi, me anë të Dusan Vlahovic, që u asistua prej Chiesas në minutën e 27-të.

Mirëpo, festa e tyre nuk zgjati shumë, pasi Marcus Thuram asistoi te Lautaro Martinez (33’) për rezultatin 1-1.

45 minutat e dytë priteshin më shumë gola, mirëpo ndodhi e kundërta edhe pse dy ekipet tentuan me dhjetëra herë të dilnin përpara.

Dy ekipet nuk ia dolën të krijonin raste të sigurta për gol, duke marrë nga një pikë në këtë përballje, por që ishte një derbi i tensionuar.

Pas javës së 13-të, Interi vazhdon të jetë lider i Serie A me 32 pikë, dy më shumë se Juventusi që është në të dytin.

Në xhiron e 14-të, Nerazzurët do të takohen me Napolin, ndërsa Zonja e Vjetër do ketë punë me Monzan. /Telegrafi/

Standings provided by Sofascore
Exit mobile version