Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, vazhdon të jetë e angazhuar me koncerte të shumta.
Kësaj radhe, ajo performoi në qytetin ku u rrit, në Londër, në koncertin e organizuar në kuadër të BBC Radio 2.
Ajo ka kënduar ‘live’ para mijëra fansave hitet e saj më të fundit, ndërsa ka bërë sërish një rikujtim të shkurtër për Aviciin, gjatë interpretimit të këngës “Lonely together”.
E veshur me një fustan të shkurtër dhe plot ngjyra, këngëtarja shqiptare ka bërë për vete të gjithë të pranishmit në koncertin e saj, të mbajtur në ‘Hyde Park” të Londrës.
Rita ka ndarë me ndjekësit në Instagram disa fotografi nga koncerti, në mbishkrimin e së cilave ka shkruar për ndjesinë e mirë që pati gjatë këndimit para fansave të qytetit të saj.
“Çfarë kënaqësie ta kalosh kështu pasditën e së dielës. Faleminderit BBC Radio 2 që më pate mua sot në qytetin tim, në shtëpinë time.”, ka shkruar ndër të tjerash këngëtarja me prejardhje shqiptare.
Rita ndërkohë ka konfirmuar se është duke punuar rreth albumit më të ri, i cili pritet të lansohet këtë vit. /Telegrafi/