Këngëtarja e famshme me origjinë shqiptare, Rita Ora, ka qenë shumë e rebeluar në shkollë.
Rita është lindur në Kosovë, por është shpërngulur në Britani të Madhe me familje kur ajo ishte foshnje, dhe u rrit në Londër, transmeton Koha.net. Performimi ishte gjithnjë në gjakun e saj, prandaj ajo është regjistruar në shkollën e famshme “Sylvia Young Theatre School”.
Edhe pse nuk ishte nxënësja me sjelljet më të këqija në këtë shkollë, Rita përsëri ka gjetur mënyrën e vet për të mos qenë e rehatshme – kryesisht në lidhje me uniformën e saj të shkollës, transmeton koha.net.
“Nuk isha më e keqja, por isha një fëmijë i bezdisshëm i cili do të bënte gjërat, si ngritja e jakave dhe shkurtimi i fundit”, ka thënë Ora për revistën britanike “Cosmopolitan”, duke buzëqeshur.
“Po ashtu kam vënë kufje nën bluzën time dhe kam dëgjuar radio në telefonin tim Nokia. Nuk jam shpërqendruar nga djemtë – nuk i kam shikuar atëherë”.
Me lansimin e albumit të saj “Ora”, në vitin 2012, Rita është bërë një yll me stil si dhe një këngëtare e talentuar. Sensi i saj i modës është parë edhe nga gjiganti i veshjeve sportive “Adidas”, dhe ajo ka lansuar linjën e saj të parë me këtë brend në vitin 2014. Ajo po ashtu ishte fytyrë e kampanjës për Donna Karan dhe Roberto Cavalli.
“Vërtetë jam e dhënë pas modës, por jam goxha e zakonshme”, tha këngëtarja. “Jam spontane dhe një person që vishet pa u menduar se çfarë të vesh. Kam shumë rroba në shtëpinë time dhe një garazh të veçantë me përplot rroba”, ka thënë Rita.
Tani, Rita Ora njohuritë e saj të modës do t’i vë në sprovë si nikoqire e shfaqjes “America’s Next Top Model”, transmeton Koha.net. Nikoqire e kësaj shfaqje për mbi 12 vjet ishte e famshmja Tyra Banks, por Rita ka mbështetjen e plotë të Tyras për kapitullin e ardhshëm të shfaqjes.