Telegrafi

Rita Ora nënshkruan peticionin që i bën thirrje qeverisë që të sigurojë vaksionimin për punonjësit shëndetësorë

Rita Ora (Foto: Matt Dunham – WPA Pool/Getty Images/Guliver)

Këngëtarja me famë internacionale, Rita Ora, ka tash e sa kohë që shërben edhe si ambasadore e organizatës më të madhe bamirëse në botë, UNICEF.

Ishte po kjo organizatë që e shpalli ambasadore nderi artisten shqiptare dhe e solli atë në Kosovë me një mision të veçantë gjatë vitit 2019.

Gjatë gjithë kohës së pandemisë, UNICEF-i ka qenë i angazhuar për t’u dalë në ndihmë fëmijë të lënë anash dhe të afektuar nga kriza globale e coronavirusit.

Rita Ora, ambasadore e UNICEF-it (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)

Tani Rita po i bashkohet thirrjes ndaj Boris Johnsonit, e cila kërkon që në rast shpikjen e një vaksine kundër COVID-19, të vihen në rend të parë fëmijët dhe punëtorët e kujdesit shëndetësor.

“Punëtorët e kujdesit shëndetësor, rrezikojnë jetët e tyre për të ruajtur fëmijët. Ata duhen të kenë qasje në vaksinim kudo që jetojnë”, shkruhet në videon e re promovuese të UNICEF-it, të shpërndarë edhe nga Rita në InstaStory.

Foto: Rita Ora/InstaStory

Artistja shqiptare ka edhe një empati më të madhe ndaj punonjësve të kujdesit shëndetësor, pasi mamaja e saj është psikiatre dhe shërbeu gjatë pandemisë së coronavirusit në NHS (Shërbimi i Shëndetit Kombëtar në Angli).

“Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar duhet të bashkohet me OBSH dhe vendet e tjera në angazhimin për qasje të barabartë dhe të përballueshme ndaj vaksinave dhe trajtimeve të coronavirusit për çdo punonjës shëndetësor, kudo ku ata jetojnë. Nënshkruani peticionin tonë – kjo mund të shpëtojë jetën e një fëmije”, thuhet në letrën thirrëse të UNICEF-it, të cilën do t’ia adresojnë kryeministrit britanik, Boris Johnson. /Telegrafi/

Rita Ora (Foto: Matt Dunham – WPA Pool/Getty Images/Guliver)