Një kampanjë që njeh kontributin e refugjatëve në shoqërinë britanike pritet të nis, ndërsa figura e parë e famshme që përkrah këtë ide është bukuroshja Rita Ora.
Iniciativa ka për qëllim vendosjen e disa pllakëzave të kaltra nëpër ndërtesa për të shenjuar shtëpitë apo vendet e punës së “ambasadorëve” refugjatë që u është ofruar siguria dhe u është mundësia e ndërtimit të një jete të re në Britani, transmeton Koha.
Një prej të parëve që ka mbështetur këtë ide është Ambasadorja e Vullnetit të Mirë e Republikës së Kosovës, Rita Ora, e cila është zhvendosur në Britani bashkë me familjen e saj si refugjatë kur ajo ishte fëmijë pasi familja e saj u largua nga Kosova si pasojë e luftës.
Projekti është nisur nga Këshilli i Përbashkët për Mirëqenien e Imigrantëve (JCWI), i cili edhe më parë ka zhvilluar një kampanjë të suksesshme për të theksuar kontributin që migrantët po e ofrojnë në shoqëri.
Nëpër stacionet e trenave në Britani tashmë janë vendosur rreth 1000 posterë e billborde të mëdhenj me personazhe të ndryshëm me mbishkrimin “Unë jam imigrant”.
Lista e refugjatëve të famshëm në Britani përfshin edhe Michael Marks, i cili në Britani emigroi si refugjatë hebre dhe themeloi kompaninë “Marks & Spencers”.
Modelja Alek Wek shkoi në Britani pasi iku nga lufta civile në Sudan, sikurse edhe familja e lojtarit të Chelseas Islam Feruz që shkuan në Skoci si refugjatë.