Site icon Telegrafi

Rita Ora në Australi, flet shqip në radio dhe u mëson disa fjalë në gjuhën amtare moderatorëve të emisionit (Video)

Rita Ora (Foto: Ryan Pierse/Getty Images/Guliver)

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, është duke zhvilluar turneun e saj të koncerteve në mbarë botën.

Kontinenti i parë me të cilin ajo filloi ishte Australia, ku zhvilloi një sërë koncertesh në Melbourne, Sydney dhe Brisbane.

Rita Ora po zhvillon turneun e saj të koncerteve në kuadër të promovimit të albumit të ri “Phoenix” (Foto: Amy Sussman/Getty Images/Guliver)

Teksa ishte atje, Rita ka qenë e ftuar edhe në disa emisione televizive dhe radio, ku ka folur ndër të tjerash rreth suksesit të albumit të saj më të fundit, “Phoenix” të publikuar në nëntor të vitit të kaluar.

E ftuar në një nga radiot më të njohura në Australi, Rita ka dhënë një intervistë shumë interesante, ku ndër të tjerash ka folur edhe për origjinën e saj shqiptare.

Rita Ora krenohet gjithnjë me origjinën e saj (Foto: Frazer Harrison/Getty Images/Guliver)

Në një video të dërguar nga lexuesit e Telegrafit, në valët radiofonike dëgjohet këngëtarja me prejardhje nga Kosova, teksa u mëson moderatorëve të emisionit disa fjalë në gjuhën shqipe.

Rita u tregon atyre se si thuhet në shqip “Si je? (How are you)”, teksa më pas u mëson atyre edhe përkthimin e fjalës “Congratulations” dhe “Happy Birthday”, që në shqip përkthehen si “Urime” dhe “Urime ditëlindjen”.

Më pas ajo pyetet për ndjenjën e të shpallurit ambasadore e Kosovës (viti 2015), për çka është shprehur gjithmonë se është një nder i madh për të.

Megjithëse me pak vështirësi në të shprehur, Rita nuk e ka harruar gjuhën e saj amtare, të cilën e ka mësuar nga prindërit, dhe siç është shprehur ajo vet, në shtëpinë e saj flitet shqip.

Lexo po ashtu Rita Ora uron 8 marsin në mënyrë të veçantë, paralajmëron një projekt të veçantë për fuqizimin e femrave

Familja e këngëtares shqiptare u largua nga Prishtina për në Londër, kur ajo ishte vetëm një vjeçe, ndërsa hera e fundit që ata ishin në Prishtinë ishte shkurti i vitit 2018, me ç’rast Ora mbajti një koncert gjigant për nder të 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Rita Ora performoi herën e fundit në Kosovë më 17 shkurt 2018 (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)

Pas Australisë, Rita po vazhdon turneun e saj në Azi, dhe aktualisht do të performojë në Filipine.

Ndërsa vetëm pak ditë më parë, ajo ka publikuar edhe klipin e saj më të ri “Only Want You”, në bashkëpunim me 6LACK, që njëherësh është edhe ndër këngët më të suksesshme të albumit të saj më të ri “Phoenix”. /Telegrafi/

Exit mobile version