Telegrafi

Rita Ora me mesazh për Kosovën, bën thirrje që të mbrohen fëmijët nga virusi COVID-19

Foto: UNICEF/YouTube

Ajo asnjëherë nuk e harron vendlindjen e saj!

Artistja shqiptare me renome botërore, Rita Ora, edhe njëherë vuri në vëmendje Kosovën, teksa dha një mesazh sensibilizues përmes UNICEF-it.

Ora tash e sa vite shërben si ambasadore e organizatës më të madhe bamirëse në botë, UNICEF, në kuadër të shumë iniciativave bamirëse që ajo i ka mbështetur falë ndikimit që ka si një artiste globale.

Rita Ora, ambasadore e UNICEF-it (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)

Ajo mbajti javë më parë një koncert live në Instagram bashkë me UNICEF-in, ku përgjatë koncertit u dhuruan donacione për të ndihmuar fëmijët e prekur nga kriza e coronavirusit.

Tani 29-vjeçarja përmes një videoje tha se është e shqetësuar për shëndetin e fëmijëve në Kosovë, duke u bërë thirrje të gjithëve që të respektojnë masat preventive të COVID-19.

“Jam shumë e shqetësuar që aq shumë njerëz në Kosovë janë të prekur nga virusi Corona. Unë e mbaj maskën jashtë shtëpisë, që të kthehem në Kosovë dhe të festojmë bashkë fundin e këtij virusi”, thotë Ora përgjatë videos.

Zyra e UNICEF-it në bashkëpunim me USAID në Kosovë bën thirrje të gjithëve që të respektojnë masat mbrojtëse dhe të mbrohen fëmijët e Kosovës sot, që nesër të shndërrisin si yje botërore.

Kujtojmë që UNICEF organizoi një vizitë të Rita Orës në prill të vitit të kaluar, me ç’rast artistja me renome botërore vizitoi disa nga zonat më të varfra të Kosovës. /Telegrafi/

Rita Ora në Kosovë, prill 2019 (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)