Site icon Telegrafi

Rita Ora i mburret botës: Gjyshi im u nderua me pullën e tij postare në Kosovë, për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në film

Foto: Rita Ora/Instagram

Të enjten, Posta e Kosovës në nder të përvjetorit të vdekjes së aktores Leze Qena dhe regjisorit të mirënjohur shqiptar, Besim Sahatçiu, ka përuruar dy pullat e reja postare me imazhet e dy figurave të famshme të artit.

Mbesa e regjisorit të famshëm nga Peja, Besim Sahatçiut, këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, realizoi një video-mesazh të veçantë në gjuhën shqipe ku falënderoi të gjithë këtë nderim, duke iu kërkuar falje që s’mundi të ishte prezente fizikisht.

Pullën postare dhe mirënjohjen i pranoi babai i saj, Besnik Sahatçiu – Ora.

Foto: Posta e Kosovës/Facebook

Rita në anën tjetër, ka publikuar imazhin e pullës së re postare me portretin e gjyshit të saj, edhe në InstaStory.

Ajo ka ndarë me 16 milionë ndjekësit e saj në platformën e Instagramit këtë imazh, në mbishkrimin e së cilës është mburrur me të arriturat e gjyshit të saj.

Foto: Rita Ora/InstaStory

“Gjyshi im Besim Sahatçiu është nderuar me pullën e tij postare në vendlindjen time Kosovë! Për të nderuar kontributin e tij në film dhe të gjithë filmat e mahnitshëm që ai bëri. Filmat e tij janë të jashtëzakonshëm dhe ata më frymëzojnë gjithmonë! Të dua gjyshi, e di që po na shikon nga qielli, mezi po pres të rri përsëri me ty një ditë, të dua”, shkroi 30-vjeçarja në InstaStory.

Besim Sahatçiu ishte i njohur për një numër të madh projektesh filmike në kohën e Ish-Jugosllavisë, ku më i spikatur mbetet filmi i tij “Era dhe Lisi”. /Telegrafi/

Rita Ora me gjyshërit e saj nga babai: Besim dhe Besë Sahatçiu, dhe motrën e saj, Elena (Foto: David Mirzoeff)
Exit mobile version