Telegrafi

Rita Ora lirohet nga ‘kthetrat’ e kompanive menaxhuese, merr në pronësi të plotë muzikën e saj

Rita Ora (Foto: Getty Images)

Rita Ora ka nënshkruar një marrëveshje globale me kompaninë muzikore BMG që i jep asaj pronësinë e të gjitha këngëve të saj të ardhshme.

Ylli me prejardhje nga Kosova, e bëri këtë njoftim në llogarinë e saj zyrtare në Instagram, duke thënë se ishte “fuqizuese të dinte” se ajo kishte në kontroll tashmë muzikën e saj, shkruan BBC.

Ora kishte nënshkruar më parë kontratë me kompaninë muzikore Atlantic Records, në pronësi të së cilës ishin 10 hitet e saj më të mira, duke përfshirë këngët e famshme “Anywhere” dhe “Let You Love Me”.

Foto: Rita Ora/Instagram

Para kësaj, ajo paditi kompaninë e famshme “Roc Nation” të reperit Jay-Z duke kërkuar lirimin nga kontratat me këtë label, nën arsyetimin se kishte mbetur “jetime” nga studioja në fjalë.

Kompania e ndihmoi atë të niste karrierën e saj solo në vitin 2012, por Ora ndërmori veprime ligjore tri vjet më vonë, duke thënë se karriera e saj ishte bërë një prioritet i ulët, pasi “Roc Nation” ndoqi interesa të tjera në menaxhimin e sporteve dhe shërbimin muzikor Tidal.

Lexo po ashtu Rita duket e mrekullueshme në karrigen e sezonit të ri të "The Voice Australia"

Pasi arritën një marrëveshje në qershor të vitit 2016, Ora nënshkroi marrëveshje me Atlantic Records – por ata publikuan vetëm një album së bashku, të titulluar “Phoenix”.

Kopertina e albumit “Phoenix” nga Rita Ora (Foto: Arkiv/Instagram)

Albumi, i cili është i certifikuar me pllakatën e artë në Mbretërinë e Bashkuar, përmbante këngët hit si: “Your Song” (bashkë-shkruar nga Ed Sheeran) dhe “For You” (kolona zanore e filmit “Fifty Shades Freed”).

Publikimi i saj i fundit për label-in në fjalë ishte mini-albumi “Bang” i vitit të kaluar, ku pjesëmarrës në album ishin producenti kazak Imanbek dhe ai mbarë botëror David Guetta – album i cili dështoi të ngrihej lartë në top listat e Mbretërisë së Bashkuar. Pas kësaj, kontrata e saj me Atlantic besohet se ka skaduar.

Ajo ka një karrierë paralele në film dhe televizion, dhe për momentin është e angazhuar si paneliste në spektaklet “The Masked Singer” dhe “The Voice Australia”.

Rita Ora në “The Voice Australia” (Foto: Rita Ora/Instagram)

Reputacioni i muzikantes shqiptare mori një goditje në nëntor të vitit 2020 pasi ajo organizoi një festë ilegale në 30-vjetorin e saj të ditëlindjes në Londër, në periudhën kur shteti ndodhej në izolim total. Megjithatë, skandali u zbeh kryesisht kur ajo kërkoi falje të shpejtë dhe pagoi një gjobë vullnetare prej 10,000 funtesh.

Nënshkrimi i kontratës së re me kompaninë BMG e vendos Orën përkrah artistëve si: Kylie, KSI dhe Run The Jewels, të cilët gjithashtu kanë zgjedhur të dalin nga ekosistemi kryesor i label-ave.

“Qasja e kompanisë ndaj pronësisë dhe kontrollit të artistit është shumë në përputhje me timen”, shkroi ylli në Instagram.

“Jam shumë e emocionuar për muzikën e re për të cilën kam punuar dhe mezi pres ta ndaj me të gjithë ju”, shkroi tutje 31-vjeçarja.

Ajo falënderoi gjithashtu “ekipin e mrekullueshëm” në Atlantic Records, duke vënë në dukje se ata e kishin ndihmuar atë të arrinte një rekord si artistja e vetme britanike e cila ka më shumë se 13 këngë solo, që janë ngjitur në top-listën e 10 më të mirave në Mbretërinë e Bashkuar. /Telegrafi/