Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, është gati të ulet në karrigen gjykuese të spektaklit të talenteve “The Voice”, në Australi.
Ajo është përzgjedhur të jetë anëtare e jurisë krahas emrave të njohur: Keith Urban, Jessica Mauboy dhe Guy Sebastian.
Spektakli i famshëm i talenteve në Australi ka nisur këto ditë xhirimet, ku artistja me prejardhje nga Kosova është shfaqur senzacionale në një veshje plot shkëlqim.
Në disa fotografi të publikuara në rrjetet sociale, që janë realizuar gjatë prapaskenave të spotit reklamues të “The Voice Australia”, Rita shihet shumë me stil, ndërsa ka zgjedhur të veshë një fustan blu plot shkëlqim.
Në një prononcim për The Daily Telegraph , këngëtarja Ora tha: “Unë jam vërtet mirënjohëse që jam ftuar këtu për të qenë pjesë e ‘The Voice’ këtë vit. Mezi pres të jem në gjendje të mentoroj talentin mahnitës këtu”.
Rita këto ditë ndodhet në Sydney bashkë me motrën e saj, Elenën, ku përveç spektaklit janë të zëna edhe me promovimin e mini-albumit më të fundit të Ritës, “Bang”.
Motra e këngëtares, njëherësh menaxherja e saj, Elena Ora, publikoi në rrjetin social Instagram disa fotografi ku u shfaq bashkë me 30-vjeçaren, ndërsa shkëlqenin të dyja.
Rita dukej joshëse me një kopstum blu, gjersa jo më pak tërheqëse dukej edhe Elena, e cila pozoi me një fustan portokalli dhe të gjatë.
Këto fotografi të dy motrave Ora u pëlqyen dhe komentuan në masë të madhe nga ndjekësit e tyre. /Telegrafi/