Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, vazhdon ta dëshmojë gjithnjë e më shumë faktin se është shumë e lidhur me rrënjët e saj.
Së fundmi, përmes një postimi në InstaStory, Ora ka shprehur shqetësimin e saj rreth tërmeteve të shumta që ndodhën së fundmi në Shqipëri.
Duke parë dëmet dhe frikën që po shkaktohet në shtetin amë të vendit prej nga ajo ka prejardhjen, këngëtarja me origjinë nga Kosova duket se ka shprehur gatishmërinë që së bashku me UNICEF-in, të ndihmojnë fëmijët në Shqipëri.
“Një tërmet me madhësi 5.6 goditi Shqipërinë, në 21 shtator afër Kosovës, ku unë u linda. Klikoni këtu për t’i ndihmuar UNICEF-it, të jetë atje për fëmijë të prekur nga katastrofat, kurdo dhe kudo që janë”, ka shkruar Rita Ora.
Rita prej tash e sa kohësh është ambasadore e organizatës më të madhe botërore të mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve, UNICEF.
Me po të njëjtën organizatë, ajo erdhi me mision të veçantë në Kosovë gjatë muajit prill, duke ndihmuar fëmijët e familjeve skamnore në vendlindjen e saj.
Duket se kësaj here, Rita është e gatshme që të bëjë thirrje për UNICEF-in, që të shtrijë aktivitetet e tyre të bamirësisë këto ditë në Shqipëri. /Telegrafi/