Site icon Telegrafi

Rita Ora dhe Shkëlzen Doli, prova në kishë për koncertin e Nënë Terezës

Një ditë përpara koncertit “Himni i Nënë Terezës” që do të mbahet në vigjilje të shenjtërimit të saj këtë të dielë në Vatikan, kanë nisur provat në “Basilica Papale di San Paolo Fuori Le Mura”.

Krahas emrave shqiptarë më të njohur të artit, kryesisht muzikës operistike në botë, pjesëmarrëse do të jetë edhe ylli i pop-it Rita Ora, e cila së bashku me violinistin kosovar Shkëlzen Doli, do të performojnë këngën “What child is this”, e shkruar nga William Chatterton Dix, në 1865.

Në këtë foto ekskluzive të lapsi.al, Rita Ora, siç shihet ka zgjedhur të shkojë në prova me një fustan të gjatë të zi duke respektuar “kodin” e veshjes në kishë, por kombinuar me bluzën sportive Adidas dhe atletet e dizenjuara prej saj, të po kësaj firme.

Një tjetër detaj që të bie në sy sa i takon look-ut të Ritës në këtë ditë provash, janë flokët. Bjondja “e përjetshme” me sa duket ka provuar të errësojë ngjyrën, me gjasë t’i përshtatet tematikës së eventit.

Në koncertin për Nënë Terezën do të këndojnë yjet më të mëdhenj të operistikës shqiptare e botërore; Ermonela Jaho e Saimir Pirgu, sopranoja protagoniste e koncertit, Inva Mula, baritoni Gëzim Myshketa, tenori Ramë Lahaj.

Exit mobile version