Telegrafi

Rita Ora befason klientët e dyqanit “Primark”, duke shërbyer në arkë si arkëtare për pak kohë

Foto: Rita Ora/Instagram

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, i ka befasuar vizitorët e një dyqani veshjesh, duke u bërë për pak kohë arkëtarja e atij dyqani.

Interpretuesja e hitit “I Will Never Let You Down” publikoi një video në llogarinë e saj zyrtare në Instagram, e cila tregonte momentin kur ajo mori një bexh nga “Primark” me emrin e saj dhe filloi t’iu shërbente klientëve te arka e dyqanit “Primark” në rrugën Oxford të Londrës.

Në video, Rita Ora shfaqet e buzëqeshur dhe plot energji, ndërsa përshëndet dhe ndihmon klientët e pranishëm te arka. Ajo kreu të gjitha detyrat si një arkëtare e vërtetë, duke bërë pagesat dhe duke i paketuar blerjet me kujdes për çdo klient.

Vizitorët e dyqanit u befasuan dhe u gëzuan kur kuptuan se ishin shërbyer nga një yll me renome ndërkombëtare.

Këngëtarja e lindur në Prishtinë ndau me ndjekësit e saj në Instagram emocionet e këtij momenti të veçantë. “U ndala në dyqanin e Primark në rrugën Oxford për të befasuar blerësit në festimin e përvjetorit të parë të bashkëpunimit tonë! Mbani sytë hapur, shumë më tepër është në rrugë e sipër”, shkroi ajo në postimin e saj.

Kjo video u realizua në kuadër të promovimit të koleksionit të ri të Ritës në bashkëpunim me “Primark”. Koleksioni përfshin një gamë të gjerë veshjesh të stilit modern dhe të përballueshëm, të cilat kanë qenë shumë të pritura nga fansat dhe klientët e “Primark”.

Foto: Rita Ora/Instagram

Rita Ora ka bashkëpunuar me “Primark” për një periudhë të gjatë kohore dhe deri më tani janë nxjerr në treg gjithsej katër koleksione nga ky bashkëpunim.

Jo vetëm që Rita është një yll në skenën muzikore, por ajo gjithashtu po bën emër edhe në botën e modës. Puna e saj me “Primark” është dëshmi e aftësisë së saj për të ndikuar dhe frymëzuar njerëzit në fusha të ndryshme. /Telegrafi/