Ka tash e sa kohë që në Kosovë ka nisur një fushatë sensibilizuese, e quajtur “Një kafe si flutur”.
Kjo fushatë ka dy objektiva kryesore: Ngritjen e fondeve me të cilat do të mbështeten institucionet shëndetësore me pajisje dhe materiale të nevojshme për ta luftuar COVID-19, si dhe shpërndarjen e informatave dhe këshillave nga burime të sigurta tek qytetarët në mënyrë që të ngritet vetëdija se si ta ndalojmë shpërndarjen e coronavirusit.
E kësaj fushate ndërgjegjësuese i është bashkuar edhe ylli shqiptar me nam botëror, Rita Ora.
Këngëtarja e cila tashmë është edhe një aplikante e vullnetarëve për Shërbimin e Shëndetit Kombëtar në Angli, u ka dërguar një video-mesazh sensibilizues të gjithë shqiptarëve të saj, përmes fushatës “Një kafe si flutur”.
“Përshëndetje gjithësecilit, jam Rita Ora dhe kam një mesazh të rëndësishëm për ju: ‘Një kafe si flutur’ është një iniciativë për të rritur fondet për të ndihmuar rastet me coronavirus në Kosovë. Mos dilni jashtë për një kafe, rrini në shtëpi dhe ndihoni rastet me coronavirus në Kosovë. Një kafe si flutur. Të dua”, thotë artistja me renome botërore përgjatë videos.
Donacionet për “Një kafe si flutur” secili mund t’i japë duke dërguar SMS nga operatori VALA në numrin 55049. Nëse dëshironi të dhuroni më shumë se 1 (një) euro, këtë mund ta bëni duke dërguar SMS disa herë, ose duke dhuruar online në platformën GlobalGiving.
Rita Ora përndryshe është treguar gjithmonë e gatshme të mbështesë fushatata sensibilizuese në vendin e saj amtar dhe jo më larg se një vit më parë, ajo ishte prezente në Kosovë së bashku me UNICEF-in, për të vizituar disa familje në nevojë. /Telegrafi/