Marrëveshja e re e qirasë do të bëjë të mundur që RIT Kosova (A.U.K) të zgjerojë programet dhe të vazhdojë të ofrojë arsim amerikan të cilësisë së lartë në kampusin e Gërmisë
Sot, me zgjatjen e qirasë për objektet në kampusin e Gërmisë për 50 vite, deri në vitin 2068, u shënua një arritje e rëndësishme për RIT Kosova (A.U.K). Kjo arritje do të jetë një shtysë për zhvillimin e mëtejmë të RIT Kosova (A.U.K), duke i mundësuar institucionit që të ofrojë programe të reja dhe të zgjerojë kurrikulat aktuale për t’i përmbushur nevojat e tregut në Kosovë dhe rajon. Si hap i parë, RIT Kosova (A.U.K) gjithashtu planifikon të ndërtojë një hapësirë bashkëkohore studimi ku studentët do të mund të mësojnë, bashkëpunojnë dhe shkëmbejnë ide mes tyre. Përveç kësaj, RIT Kosova (A.U.K) planifikon të ndërtojë një qendër rekreative dhe një konvikt të studentëve.
Kryesuesi i Bordit të Drejtorëve të RIT Kosova (A.U.K), z. Ron Cami, i shprehu falënderimin e tij Kuvendit Komunal të Prishtinës për mbështetjen e vazhdueshme për një prej institucioneve më të rëndësishme akademike në Kosovë. Z. Cami tha se: “Bordi i Drejtorëve është shumë mirënjohës dhe i nderuar për besimin e dhënë nga populli i Kosovës, anëtarët e Kuvendit Komunal të Prishtinës, Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Qeveria e Kosovës dhe Qeveria Amerikane, përmes Ambasadës së SHBA në Kosovë. Ne e marrim këtë besim jashtëzakonisht seriozisht dhe jemi të përkushtuar që të ofrojmë arsim cilësor amerikan për studentët nga Kosova dhe bota përmes programeve dhe kurrikulave inovative, eksperimentale dhe kërkimore – në një kulturë dhe ambient ku studenti është në fokus. Studentët tonë fitojnë ekspertizë, njohuri dhe vlera që i përgatisin ata për të kontribuuar në shoqërinë e Kosovës dhe atë globale. Kemi kënaqësinë që do të jemi në gjendje të vazhdojmë ta bëjmë këtë në kampusin tonë për së paku 50 vitet e ardhshme”.
RIT Kosova (A.U.K) është institucioni i vetëm jopublik, jofitimprurës i arsimit të lartë në Kosovë, ku ligjërohet dhe mësohet tërësisht në gjuhën angleze. Është gjithashtu institucioni i vetëm në Kosovë diplomat e të cilit janë të akredituara dhe njohura në tërë botën falë partneritetit me Institutin Roçester të Teknologjisë (RIT), në Nju Jork. Studentët e RIT Kosova (A.U.K) pranojnë të njëjtin arsim të shkëlqyeshëm amerikan dhe të njëjtat diploma që studentët i marrin në RIT në Roçester, Nju Jork.
Më 2004, RIT Kosova (A.U.K) u vendos në kampusin e Gërmisë, në objektin e ish Shkollës Normale, falë mbështetjes zemërgjerë të Komunës së Prishtinës, Fondacionit Behgjet Pacolli, dhe Grupit Mabetex që rindërtoi dy objektet kryesore. Që atëherë, mijëra profesionistë të rinj, nga mbi 20 shtete të ndryshme, kanë fituar diplomat e tyre nga RIT Kosova (A.U.K), ku 95% të të diplomuarve kanë gjetur punë në Kosovë dhe jashtë vendit menjëherë pas diplomimit, dhe shumë prej tyre kanë vazhduar shkollimin në universitete të njohura botërore.
“Kjo është kohë frymëzuese dhe e veçantë për kampusin tonë në Prishtinë, gjersa bëhemi gati për të filluar me programe të reja në nivelin Baçelor në fushën e Kompjuterikes dhe Teknologjisë Informative dhe për të rikthyer nivelin Master Shkence në Studime Profesionale në vitin e ardhshëm akademik. Kjo qira 50-vjeçare do të jetë shtytje për zhvillimet e reja në të ardhmen” tha Dr. James Myers, Prorektori për Arsim Ndërkombëtar dhe Programe Globale në Institutin Roçester të Teknologjisë (RIT) në Roçester, Nju Jork.
Semestri pranveror 2019 ka filluar më 21 janar 2019, ndërsa informatat për aplikim dhe regjistrim për vitin e ri akademik që fillon në shtator mund ti gjeni në www.kosovo.rit.edu. /Telegrafi/